POLITIKË /

Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama njofton 6 reforma për mandatin e katërt: S'ka më tolerancë ndaj 'tokave të xanuna'

Në shkrimin e publikuar në rrjetet sociale, Rama e konsideron aksionin kundër zaptimit të hapësirave publike si pjesë të reformave që do të ndërmerren më tej në nisjen e mandatit të katërt qeverisës të PS.

Shkruar nga Versus

Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama njofton 6 reforma

Lirimi i hapësirave publike të zaptuara ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes për shkak të aksionit të nisur njëkohësisht në disa qytete të vendit.

Pavarësisht se në kulmin e sezonit turistik, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ky aksion është pjesë e 6 reformave që të të ndërmerren në zhvillim për kontrollin dhe zhvillimin e territorit, furnizmin me ujë të pijshëm, pastrimin dhe përpunimin e mbetjeve, furnizimin e popullit me naftë dhe barna shëndetësore si dhe në shërbimin spitalor.

Sa i takon situatës aktuale me zaptimin e hapësirave publike në kurriz të qytetarëve, Rama bëri përgjegjës pushtetin vendor. 

“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”- thuhet në reagimin e Ramës.

Prej ditësh, në gjithë vendin ka nisur një aksion spastrimi për heqjen e trarëve, instalimeve jashtë lokaleve me çadra e tavolina të cilat kishin zaptuar pronën publike duke penguar lëvizjen e qytetarëve. Rama tha se nuk mund të tolerohet më që hapësirat e caktuara për publikun të shfrytëzohen nga biznesmenë të ndryshëm. Versus.al

Poll