POLITIKË /

Akulloret kancerogjene, qytetarët mesazhe deputetëve: Motra dhe vëllai me kancer brenda 1 viti, a mbani përgjegjësi?!

"A keni përgjegjësi ju deputetët për këtë? E kemi ndjekur që në 2021 këtë histori, por sot mësuam që autoriteti nuk ka kryer kontrollin konform ligjit, ju takon juve për të zbuluar si është e vërteta por dhe për të gjetur dhe vënë përballë ligjit, shkelësit e ligjit”

Shkruar nga Versus
Akulloret kancerogjene, qytetarët mesazhe deputetëve: Motra dhe
Eduard Shalsi

Debate ka pasur edhe sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financat, në lidhje me tregtimin të 13 ton akulloreve me lëndë kancerogjene në Shqipëri. Pas raportimit të ditës së djeshme nga kreu i KLSH-së Arben Shehu se gjatë vitit 2021 në vend janë shitur 13 tonë akullore të kontaminuara dhe se AKU nuk ka marrë asnjë masë për tërheqjen e tyre nga tregu, ai është pyetur sërish sot në lidhje me këtë çështje. Kreu i këtij komisioni, Eduard Shalsi ka këmbëngulur më së shumti tek arsyet se pse zoti Shehu zgjodhi ta bënte publikisht të ditur faktin ditën e djeshme, ndërsa ky i fundit replikoi se situata është më shumë se sensitive, madje shumë e rëndësishme duke parë situatën mjeësore në Spitalin Onkologjik. Ai madje theksoi se ky fakt është bërë publik dhe në raportin e KLSH-së të vitit 2021.

Por Shalsi sërish i është rikthyer alarmit që ka ndezur tek njerëzit ky fakt duke lexuar dhe mesazhet që i kanë shkuar nga qytetarë të shumtë.  

“Më jep pak këto pyetjet dhe shqetësimet e qytetarëve…I nderuar kryetar, Vullnet dëgjoje pak, ime motër dhe im vëlla në vitin 2022 dhe 2023 janë diagnostikuar me kancer, ndërkohë mësoj se në vitin 2021 një autoritet shqiptar nuk ka kryer detyrën konform ligjit. Dëgjova dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit të tregojë efektet e lëndës kancerogjene që ka akullorja, jam jo thjesht e alarmuar por dhe e terrorizuar për të gjetur të vërtetën. A keni përgjegjësi ju deputetët për këtë? E kemi ndjekur që në 2021 këtë histori, por sot mësuam që autoriteti nuk ka kryer kontrollin konform ligjit, ju takon juve për të zbuluar si është e vërteta por dhe për të gjetur dhe vënë përballë ligjit, shkelësit e ligjit”.

Ndërkohë Shalsi pas publikimit të këtij mesazhi i është drejtuar sërish kreut të KLSH-së: Dje është hedhur bombë, shashkë, quajeni si të doni. Pse u bë tani publik ky fakt dhe a janë dërguar tek autoritetet përkatëse gjetjet tuaja? Në fakt raporti, i bërë publik dhe nga Versus sqaron se autoritetet nuk lëvizën gishtin për të tërhequr lotin e kontaminuar me lëndë kancerogjene të 13 tonë akullore e cila ësht shitur e gjitha në tregun shqiptar./ Versus.al

Poll