
Pas humbjes së logos dhe vulës së PD, disa prej figurave kryesore të grupimit politik të drejtuar nga Lulzim Basha kanë vendosur të largohen prej tij e të krijojnë një parti të re.
Mësohet se ish-sekretari i përgjithshëm Enkelejd Alibeaj, ish-nënkryetari Roland Bejko, sekretari për çështjet zgjedhore Rezart Kthupi, anëtari i kryesisë Edvin Kulluri e disa të tjerë kanë vendosur të largohen nga grupimi i Bashës e të krijojnë një parti të re.
Ata po bëhen gati që të prezantojnë IDE, Iniciativa e Demokratëve Euroatlantikë, gati identike me Demokratët Euroatlantikë përdorur së fundmi nga Basha.
Ky grup politikanësh ia ka bërë të qartë Bashës qëndrimin e tij në mbledhjet e kryesisë e kolegjit të kryetarëve disa ditë më parë dhe tashmë duket se po ecin drejt zyrtarizimit të partisë.
Rrugëtimi politik i tyre duket se është ndarë plotësisht nga ai i Lulzim Bashës. Javën e kaluar ata nuk morën pjesë në asnjë nga takimet e organizuara nga Basha dhe e kanë vendosur të mos bëhen me pjesë e asnjë aktiviteti politik të tij.
Gjatë këtyre ditëve pritet edhe zyrtarizimi i partisë së re që do të krijojë Alibeaj dhe demokratët që deri dje ishin me Bashën.







