POLITIKË /

Berisha i pandehur për aferën “Partizani”! Sot caktohet gjyqtari në GJKKO, përjashtohet nga shorti Irena Gjoka

Shkruar nga Versus

Berisha i pandehur për aferën “Partizani”! Sot caktohet

Sot në Gjykatën e Posaçme hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit/es që do të caktojë nëse dosja e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” do të kalojë apo jo për gjykim ndërkohë që mes të pandehurve është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Ky i fundit festoi dje 80 vjetorin, për herë të parë nën arrest shtëpie ku ndodhet që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar. Sot në orën 09:00, Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të cilët akuzohen të dy për korrupsion pasiv, së bashku me 2 biznesmenë dhe financieren, do të mësojnë gjyqtarin e dosjes së tyre.

Detaj interesant është fakti se nga ky short që hidhet, është përjashtuar gjyqtarja Irena Gjoka ndaj së cilës Berisha ka lëshuar vazhdimisht akuza se është në konflikt interesi dhe se vendimet që merr ajo, janë të urdhëruara politikisht. 

Ditë më parë SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve, ndërsa vetëm dje e dorëzoi dosjen në GJKKO. Kjo është hera e parë që një ish-kryeministër dërgohet për gjykim nën akuzën e korrupsionit. Në gjykatë u dorëzuan dosje me 333 fashikuj, ku sipas SPAK provohet ndërhyrja e Sali Berishës në kohën kur ka qenë kryeministër me qëllim favorizimin e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi në ndërtimet e 17 kullave në ish-kompleksin Partizani. Versus.al

Poll