Kryetari i PD, Sali Berisha ka mbajtur një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të SPAK-ut para se të hynte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme që do të marrë sot të pandehur duke e akuzuar për shpërdorim detyre në aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ai tha se nuk ka asnjë provë për shkelje ligjore në privatizimin e ish-kompleksit sportiv duke e konsideruar këtë si një hetim politik të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.
Pjesë nga fjala e Berishës para mbështetësve të tij:
Qytetarë të pranishëm këtu, për tu paraqitur atyre zotimin solemn se Edi Rama jo që nuk do të marrë dot në këtë mënyrë mandat të katërt por shumë shpejt do ta lëshojmë në tokë me pjesën e turpit që ka.
Prokuroria politike e Edi Ramës, SPAK bazuar në kallëzimin e rremë të kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla ka hetuar Sali Berisha në tre breza gjer tek mbesat e tij deri në një kohë kur ato nuk kishin lindur ende. Kanë hetuar veprimtarinë e PD prej 20 vitesh e deri tek kandidatët e bashkisë për 2023-in. Me urdhër politik mercenarët e Edi Ramës mbajnë në arrest kryetarin e opozitës prej 255 ditësh pa asnjë fakt apo dëshmi por veçse me dëshirën e Edi Ramës. SPAK me këtë dosje krijoi një piramidë mashtrimi duke manipuluar qindra dokumente publike dhe la në burg të paligjshëm Sali Berishën me qëllimin për t’i shërbyer Edi Ramës. Nga ky hetim që zgjati 4 vite sa një luftë botërore rezulton se në këtë dosje nuk ka asnjë çështje penale. Shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë publike por përkundrazi, ka fituar.
Aty pretendohet se toka nuk u takonte pronarëve. Prokurorët e dinin se ky ishte një mashtrim sepse fletorët zyrtare tregojnë se ajo tokë nuk është shpronësuar. Nga dhjetëra zyrtarë që kanë firmosur kthimin e tokës tek pronarët e ligjshëm, asnjë nuk është në ndjekje penale sepse kanë zbatuar ligjet e vendit. Firma e Sali Berishës nuk ekziston në asnjë prej këtyre dokumenteve. Nuk ka asnjë provë që tregon qoftë edhe një dokument të vetëm për këtë akuzë. Në vitet 2006-2013 nuk ka asnjë ligj për privatizimin. Dhëndri im ka përfituar 410 metër tokë tek klubi partizani. Versus.al







