
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka debatuar sot në komisionin e Ligjeve me deputeten Klotilda Bushka gjatë prezantimit të raportit vjetor të KLP. Bardhi tha se 4 familjarë të deputetes socialiste Ermonela Felaj janë punësuar si prokurorë në Prokurorinë e Tiranës, duke e konsideruar këtë si një rast flagrant të konfliktit të interesit.
“Nga një familje janë 4 të emëruar në prokurori. Tani dua të di nga KLP a ndikon kjo në performancën e Prokurorisë së Tiranës? A jemi në një gjendje konflikti interesi? Apo nga një familje mund të çojmë 20 veta në Prokurorinë e Tiranës, ta pushtojmë dhe të vazhdojmë të luftojmë evazionin fiskal”- tha Bardhi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i KLP i sqaroi deputetit se të familjarët e punësuar janë në seksione të ndryshme dhe konflikti i interesit është i shmangshëm.
“Çdokush nga prokurorët ka të drejtë të kërkojë lëvizje paralele. E kuptoj atë që ju citoni, por mendoj se Prokuroria e Tiranës ka disa seksione që mund t’i shmangë. Drejtuesi i prokurorisë së Tiranës i ka të gjitha mundësitë të shmangë këtë konflikt. Por është shou, nuk janë katër njëri është officer i policisë gjyqësore ndërsa të tjerët janë në seksione të ndryshme”- u shpreh përfaqësuesi i KLP.
“Ndjesë nuk qenkan 4, qenkan tre prokurorë. Por janë 4 anëtarë brenda një strukture të prokurorisë. E shoh shqetësim që 4 familjarë të një deputeti të PS kanë pushtuar Prokurorinë e Tiranës. Pashë edhe nga ju (socialistët) edhe nga anëtarët e KLP që nuk e keni ndonjë problem”- iu përgjigj Bardhi.
Ndër të tjera, ligjvënësi demokrat tha se bashkëshorti i Ermonela Felajt, Bledar Valikaj është i vetmi prokuror që ende nuk e ka kaluar vettingun dhe ndërkohë është magjistrat. Versus.al







