
Kryetari i komisionit hetimor për rrjedhjen e të dhënave TIMS, Ervin Salianji tha se kishte dëgjuar fakte të “llahtashme” nga dëshmitarët gjatë dëshmive me dyer të mbyllura.
Ndër të tjera, duke nënvizuar mungesën e kryetares së SHISH, Vlora Hyseni emri i së cilës është në listën e dëshmitarëve që do të pyeten, Salianji tha se ajo duhet të ishte e pranishme në komision dhe jo të ishte në një aktivitet në Beograd.
“Në njoftimin që ka ardhur shkruhet; Ju bëj me dije se do përfaqësoj SHISH për një veprimtari të rëndësishme jashtë vendit. Ju njoftoj se drejtori është në dispozicion për të raportuar mes dative 27 qershor dhe 7 korrik. Pse e tund kokën, dasëm është këtu? Ka gjithë kohën që në komision sigurie, si këtu, nuk vjen. Do të çojmë shkresë që ta shoqërojnë me polici. Çfarë është ky aktivitet i veçantë se paska rëndësi më të veçantë sesa kjo. Do njoftojmë policinë, do e vendosim në dijeni drejtoreshën se ka punë më të rëndësishme sesa të shkojë në Beograd”- tha Salianji.
Sa i takon deklaratës së Salianjit për Hysenin, reagoi deputeti socialist Nasip Naço i cili e akuzoi deputetin demokrat për akuza të pavërteta.
Pjesë nga debati:
Naço: Sot që jeni pajisur me certifikatë sigurie, iu ka ardhur zëri po bilbilosni. Si mund të thoni ju që drejtoresha e SHISH ka iku në Beograd? Si mund ta përdorësh ti..
Salianji: Mos u komplekso, mbylle fjalën
Naco: Kur të bëni akuza të pavërteta për drejtoreshën e SHISH, të jeni më i rezervuar për shkak të pozicionit të saj të punës.
Gjatë mbledhjes mos i përmendur emrin, Salianji la të kuptohej se drejtori i IT-së Ervin Muça i cili ndodhet në masa arresti shtëpie, kishte deklaruar se të dhënat e sistemit TIMS, mund të jenë përdorur edhe nga grupet kriminale.
Lidhur me përmendjen e kësaj dëshmie, reagoi sërish deputeti socialist Nasip Naço i cili tha se Salianji ka qëllim lavdinë personale dhe jo interesin kombëtar.
Pjesë nga debati mes Salianjit dhe Naços:
Salianji: Është fshehur rjedhja e të dhënave në sistemin TIMS Ka gjasa që ky sistem të manipulohet? Po ka gjasë të përdoret dhe mund të jetë përdorur nga persona të krimit të organizuar. Janë llahtar ato që janë thënë me dyer të mbyllura.
Naço: Cituat një pjesë të dëshmisë të dështmitarit duke mos i thënë as emrin. Ju anoni nga lavdia personale dhe jo nga ana e transparencës
Salianji: Më vjen mirë që e pranoni se jeni kapur
Naço: Personi në fjalë është në masë sigurimi “arrest shtëpie” mund të thotë çfarë të dojë. Nuk mund ta merrni as si dëshmi. Deklarimet e tij se ai mund të kishte talent në cdo fushë ndërkohë që hoqi nga puna disa persona që i cilësonte si marangozë, mos i merrni kaq shumë parasysh.
Salianji: Unë lexova një pjesë të dëshmisë dhe e marr unë përgjegjësinë. Po flisni për një person të cilin e keni ende drejtor departamenti në policinë e shtetit. E keni këtë zotërinë me masë arresti dhe nuk e shkarkoni dot. Nuk e keni dot guximin që të kërkojë përjashtimin nga policia. Dëshmitë, të gjitha janë kontradiktore. Të gjithë kanë përgjegjësi për atë që thonë. Unë besoj se keni kontribut edhe ju. Versus.al







