POLITIKË /

Dosja e SPAK/ Si Berisha ndryshoi ligjin në ndihmë të pretendentëve të ‘Partizanit’! Drejtoresha e ‘Kthimit të Pronave’ rrëfen bisedën me të

Në dosjen e hetimeve të SPAK, përshkruhet edhe mënyra e emërimit të një anëtarje të PD në krye të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Shkruar nga Versus
Dosja e SPAK/ Si Berisha ndryshoi ligjin në ndihmë të
Sali Berisha, ish-kompleksi Partizani (në sfond)

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi janë marrë zyrtarisht si të pandehur nga SPAK nën akuzën e korrupsionit pasiv të kryer në bashkëpunim dhe pastrim parash për atë që njihet tashmë si “afera e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani”.

Së fundmi, Versus.al ka siguruar edhe dosjen voluminoze prej 500 faqesh të SPAK lidhur me hetimet për aferën në kuadër të të cilës u morën të pandehur edhe Xhimi Begaja, një prej trashëgimtarëve të një pjese toke, nën akuzën për pastrim parash si dhe ndërtuesi Fatmir Bekteshi për akuzën e korrupsionit aktiv.

Në një pjesë të dosjes së zbardhur, ish drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Justina Boriçi ka treguar sesi e kishte mësuar faktin që ishte emëruar në krye të këtij institucioni të sapokrijuar, duke treguar edhe bisedën që kishte me Berishën asokohe kryeministër.

"... Unë jam emëruar si drejtoreshë e përgjithshme e Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në muajin gusht 2006 deri më 27.06.2007.... Në muajin gusht të vitit 2006 më ka thirrur kryeministri Sali Berisha, i cili më ka bërë të ditur se isha emëruar si drejtoreshë e përgjithshme e Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Unë kam qenë anëtare e Partisë Demokratike, kam qenë e organizuar, dhe nëpër mbledhje isha njohur edhe me kryeministrin Sali Berisha.... kryeministri e dinte se kush isha. Sqaroj se në korrik 2006 unë u emërova nga Ministria e Bujqësisë, drejtoreshë e Qendrës së Transformimit (QTTB) ku ishte bashkuar Instituti, Instituti i Zooteknisë dhe Instituti i Foragjerëve,.... Pas kësaj, pas një muaji, pra në gusht 2006, më kërkoi Sali Berisha. Më tha Ministri i Bujqësisë Emin Gjana dhe më bëri me dije se më kërkonte kryeministri. Mua më erdhi pak e habitshme. E kam takuar kryeministrin Sali Berisha, në zyrën e tij në Kryeministri dhe ai më bëri me dije se më kishte emëruar si drejtoreshë e Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave..."- mësohet të ketë deklaruar ajo në SPAK gjatë paraqitjes vitin e kaluar.

Më tej në dosje paraqitet një ndryshim që Sali Berisha si kryeministër ka bërë lidhur me afatin e kërkesave të cilat duhet të bëhen për kthimin e pronave të pronarëve apo trashëgimtarëve të tyre. Sipas nenit 19 të ligjit për “Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, afati për të dorëzuar një kërkesë të tillë ishte një vit. Ndërsa për t’u ardhur në ndihmë familjeve trashëgimtare në truallin e ish-kompleksit sportive, Sali Berisha ka ndërhyrë për të ndryshuar menjëherë ligjin që vendoste afat të ri të depozitimit të këtyre kërkesave deri më 1 tetor 2007.

"27.Neni 19 i ligjit nr. 9235 të vitit 2004 "Per kahimin dhe kompensimin e prones" pika 1, kishte parashikuar që, subjektet e shpronësuara për fitimin e të drejtave të parashikuara nga ky ligj, kanë të drejtë të paraqesin kërkesat e reja brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ky ligj është botuar në FZ me nr. 61 date 31.08.2004 duke hyrë në fuqi kështu, më datë 15.09.2004 ndërkohë që afati rezulton të ketë qenë deri më datë 15.09.2005 për të paraqitur kërkesa për kthimin e pronës. Sipas ndryshimeve me ligjin nr. 9388 datë 04.05.2005 afati është bërë brenda 2 viteve, duke shkuar kështu ky afat deri më 15.09.2006.

27.1.Lidhur me afatin e mësipërm, në ndihmë të këtyre familjeve, vjen një ndryshim i menjëhershëm ligjor, i propozuar ky ndryshim nga Këshilli i Ministrave në kohën që shtetasi Sali Berisha ka qenë Kryeministër. Kështu me ligjin nr. 9583 të vitit 2006 ky afat, në nenin 17 pika 1 u ndryshua, pasi u përcaktua se subjektet e shpronësuara për fitimin e të drejtave të parashikuara nga ky ligj, kanë të drejtë të depozitojnë kërkesa të reja deri në datën 1 tetor 2007. Ky ligj është botuar në FZ nr. 81 datë 02.08.2006 duke hyrë kështu në fuqi më datë 17.08.2006”- thuhet në dosjen e hetimeve të SPAK.

Kështu Sali Berisha akuzohet se ka kryer ndryshime në VKM të miratuara gjatë viteve të mëparshme në mënyra që përkonin me interesat e familjeve trashëgimtare të pronës. Versus.al

Poll