POLITIKË /

Drejtorët në bashkitë e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe dorëzojnë dorëheqjet! Ja kush nuk e pasoi stafetën

Bashkia Shkodër ka qenë ndër të parat që ka reaguar. Kryetari i saj, Benet Beci, ka zhvilluar pasditen e sotme një mbledhje urgjente me drejtorët dhe administratorët vendorë, ku është konfirmuar se të gjithë administratorët e njësive administrative kanë paraqitur dorëheqjet e tyre pranë institucionit.

Shkruar nga Versus

 

Drejtorët në bashkitë e Shkodrës dhe Malësisë

Urdhri i fundit i Kryeministrit Edi Rama për rifreskimin e stafeve vendore ka shkaktuar një valë reagimesh në bashkitë e Qarkut Shkodër, ku janë ndërmarrë hapat e parë drejt ristrukturimit të administratës lokale.

Bashkia Shkodër ka qenë ndër të parat që ka reaguar. Kryetari i saj, Benet Beci, ka zhvilluar pasditen e sotme një mbledhje urgjente me drejtorët dhe administratorët vendorë, ku është konfirmuar se të gjithë administratorët e njësive administrative kanë paraqitur dorëheqjet e tyre pranë institucionit.

Ndërkohë, dorëheqje të shumta janë regjistruar edhe në Bashkinë Malësi e Madhe, ku burime zyrtare bëjnë me dije se kanë dhënë dorëheqjen të gjithë administratorët e njësive administrative dhe dy zëvendëskryetarë të bashkisë. Më tej, pritet të zhvillohet një analizë e detajuar për performancën e secilit drejtues përpara se të merret vendimi për miratimin ose refuzimin e dorëheqjeve të paraqitura.

Edhe Bashkia Vau i Dejës pritet të ndjekë të njëjtën rrugë. Një mbledhje urgjente është thirrur për ditën e martë në paradite, ku mësohet se do të diskutohen ndryshime në nivelin e drejtorëve dhe administratorëve.

Ndryshe paraqitet situata në bashkitë e djathta, Pukë dhe Fushë Arrëz, ku nuk është ndërmarrë asnjë lëvizje deri më tani. Kryetarët e këtyre bashkive nuk kanë planifikuar mbledhje apo dorëheqje, duke mos reflektuar drejtpërdrejt thirrjen e kryeministrit, i cili duket se ka synuar kryesisht strukturat e majta të qeverisjes vendore.

Ky valë dorëheqjesh dhe lëvizjesh vjen në një moment kur qeveria synon të rrisë efikasitetin e administratës lokale, në funksion të reformës në shërbimet publike, por edhe për të ndërtuar një strukturë më të besueshme politike në prag të përgatitjeve për ciklet e ardhshme zgjedhore. /Versus.al

Poll