Maldrita Bardho do të jetë deputetja e re në Parlamentin që do të nisë punën në shtator, pasi pas rinumërimit të votave në qarkun e Fierit, ajo mori mandatin duke zëvendësuar Zegjine Çaushin nga radhët e Partisë Socialiste.
Pas verifikimit të votave nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, rezultoi që Bardhos i janë shtuar vota, ndërsa numri i votave të Çaushit është ulur, çka i dha mundësinë Bardhos të sigurojë vendin në parlament.
Maldrita Bardho është profesioniste në farmacologji dhe biologji-kimi. Ajo ka lindur më 14 mars 1984 në Fier dhe është diplomuar në Farmaci në Universitetin Kristal. Përveç kësaj, ka përfunduar edhe studimet në Biologji-Kimi në Universitetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë.
Në karrierën e saj ka punuar si farmaciste dhe më pas si drejtuese teknike në një farmaci në Lushnjë. Ka marrë edhe kualifikime profesionale nga organizata ASME në fushën e shëndetit.
Përveç angazhimeve profesionale, Bardho është edhe koordinatorja e Gruas në Njësinë Administrative Bubullimë, ku organizon takime sociale dhe aktivitete të Partisë Socialiste. Nga shtatori, ajo do të përfaqësojë socialistët e Fierit në Kuvendin e ri.
“Në çdo rast e gatshme për t’ju shërbyer atyre që kanë nevojë. Një vlerë e shtuar në listën tonë të kandidatëve”, deklaruar Belinda Balluku kur e prezantoi Bardhon në nisje të fushatës./Versus.al







