POLITIKË /

Hakerimi i institucioneve të vendit, kreu i AKSK: Sulmohemi nga Irani dhe Rusia sa herë ka trazira në Ballkan

Igli Tafa përmendi disa prej rasteve të hakerimit të institucioneve të vendit

Shkruar nga Versus
Hakerimi i institucioneve të vendit, kreu i AKSK: Sulmohemi nga Irani dhe
Igli Tafa

Në komisionin e Dezinformimit është zhvilluar sot seanca dëgjimore me kreun e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa. Teksa foli për të gjitha sulmet e kryera më herët dhe ato me të cilat përballet aktualisht AKSK, Tafa tha se sa herë që ka trazira në Ballkan, kryesisht në veri të Kosovës, kryhen sulme kibernetike nga ana e Rusisë dhe Iranit.

“Kryesisht dezinformimin e marrim nga Irani, por dhe nga grupe të lidhura me Rusinë dhe gjithmonë ndodh sa herë ka trazira në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në veri të Kosovës, që shoqërohet me një propagandë apo dhe me sulme kibernetike nga grupe ruse”- deklaroi Tafa.

Ndër rastet që përmendi ishin sulmet kibernetike ndaj INSTAT në 2022-in nga grupet iraniane të cilat përhapën informacione të pavërteta për Censin. Ndërsa një tjetër rast ishte ai i sulmit kibernetik në një bankë të nivelit të dytë duke përhapur informacionin fals se banka kishte falimentuar.

“INSTAT u godit nga Irani në 1 shkurt 2022 dhe propaganda që u hap në mënyrë të shpejtë ishte që u prek CENSI, gjë që nuk ishte e vërtetë. Edhe pse nuk kishte asnjë gjurmë të prekjes, me bazë shkencore dhe bazë faktesh, përsëri kjo propagandë u përhap në mënyrë të shpejtë. Rasti tjetër ka qenë i një banke të nivelit të dytë në fund të 2022. U përhap paniku pas sulmit të Iranit se kjo bankë kishte falimentuar dhe nuk mund të tërhiqnin më paratë, edhe këtë dolëm dhe e sqaruam, por kaluam një situatë shumë të vështirë”, shtoi ai.

Ndër të tjera kreu i AKSK tha se institucioni që ai drejton pothuajse çdo ditë përballet me raste të tilla.

“Lajme të tilla ne ndeshemi për çdo sulm kibernetik. Një tjetër rast ka qenë me Air Albania ku jepej informacion sikur paneli i pilotit ishte marrë nga hakerat, ishte një imazh dezinfomures dhe plotësisht e pavërtetë i nxjerrë në mediat sociale dhe portale”- tha më tej kreu i AKSK.

Ndërsa një rast dezinformimi i përmendur në komisionin e drejtuar nga Erion Braçe ishte ai i publikimit të lajmit se sistemi online i policisë ishte hakeruar, kur në fakt disa shërbimeve thjesht u kishte përfunduar cikli dhe duheshin restauruar. Versus.al

Poll