POLITIKË /

“I vetmi vend në botë ku krimi i vë kamera policisë”, Xhaferraj debat me Ballën te “Siguria”: Projektligji të votohet në shtator

Gjatë diskutimeve për projektligjin për policinë, pati debate mes ministrit Balla dhe deputetit Xhaferraj pas kritikave që ky i fundit kishte për punën e forcave blu.

Shkruar nga Versus
“I vetmi vend në botë ku krimi i vë kamera
Xhaferraj dhe Balla në komisionin e Sigurisë

Komisioni i Sigurisë është mbledhur sot për të diskutuar projektligjin për “policinë e shtetit” që parashikon disa ndryshime të cilat sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla do t’u garantojnë efektivëve për të avancuar në karrierën e tyre.

I vetmi deputet i opozitës në mbledhje, Ferdinand Xhaferraj tha se për diskutimin e këtij projektligji të rëndësishëm nuk duhet të nxitohet në këtë mënyrë dhe kërkoi që kalimi i tij të bëhet në shtator pasi të gjithë deputetët ta kenë analizuar me detaje. Sa i takon sigurisë në vend, ai tha se qindra vrasje janë ende të pazbardhura nga ana e policisë.

“Problem mënyra si po e diskutojmë. Jemi në pozita inferiore në krahasim me qeverinë, por të vendosemi në pozita të tilla edhe në raport me kohën është e papranueshme. Një projektligj shumë i rëndësishëm, të njoftohet 2 ditë përpara dhe të vihen materialet 2 ditë para është e papranueshme. 180 vrasje, 60 mbeten të pazbardhura, 30% potencial m shumë që krimi të vijojë me hakmarrjet. Projektligji duhet të kalojë në shtator, nëse doni t’i bëni gjërat siç duhet”- tha Xhaferraj.

Ndërsa ministri Balla iu përgjigj duke dhënë statistika krahasuar me vitin 2012 sa i takon numrit të vrasjeve të kryera në territorin e Shqipërisë. Sipas tij, ka pasur rënie drastike të kriminalitetit, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.

“Kemi pasur një përmirësim drastik sipas statistikave, më i miri në 30 vjet. Nëse në 2012-ën ishin 125 vrasje me dashje, në 2023 ishin 35 vrasje, një rënie drastike, më e dukshme në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht shumëfishimit në numrit të mjeteve që lëvizin në Shqipëri në këto vite, pasi jo vetëm janë shumëfishuar mjetet nga shqiptarët, por edhe ata që zgjedhin Shqipërinë si dentinacion turistik. Bie në sy përgjysmimi i aksidenteve rrugore, në 2013 ishin 233, 191 janë në 2023 dhe pritshmëritë janë të larta në 2024-ën. Elementi i tretë për besueshmëri është edhe një tjetër. Nëse në 2013-ën 1 në 3 besonte te policia, sot jemi në 72% sot, 7 në 10 persona në Shqipëri e shohin policinë si institucionin më të mirë në vend”- theksoi Balla.

Nga ana tjetër, Xhaferraj i kërkoi kryetarit të komisionit, Nasip Naço që të ndërpriste mbledhjen duke këmbëngulur që fillimisht deputetët e opozitës të njihen me 140 nenet e projektligjit për policinë dhe më pas të bëhet votimi.

“I kërkoj komisionit që deputetët ta marrin projektligjin dhe ta shohin se janë mbi 140 nene dhe të mos kthehemi në unikalë në parlament për mënyrën e të bërit të gjërave. Se që jemi unikalë në planet për policinë, kjo nuk ka dyshim se jemi i vetmi vend në botë që krimi i vendos kamera policisë dhe jo policia krimit. Kryetar riktheni komisionin në shinat e normalitetit, ndërprisni mbledhjen dhe jepni komisionit kohën që duhet për të shqyrtuar këtë projektligj”- tha deputeti.

Ndërsa kryetari Nasip Naço tha se mbledhja do të vijojë pavarësisht bojkotit të bërë nga deputetët opozitarë, gjë që shkaktoi edhe largimin e Xhaferrajt nga komisioni. Versus.al

Poll