POLITIKË /

PD bashkoi votat për rezolutën në BE, Rama i befasuar nga opozita: E kuptuan që nuk e ndalin dot, bashkuan votat me ne!

Në podcastin Flasin, Rama u shpreh i befasuar nga qëndrimi i opozitës, e cila sipas tij për herë të parë u rreshtua njësoj me socialistët në një çështje që lidhet me procesin e anëtarësimit në BE.

Shkruar nga Versus
PD bashkoi votat për rezolutën në BE, Rama i befasuar nga
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend lidhur me rezolutën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke vënë në dukje bashkimin e votës mes mazhorancës dhe opozitës.

Në podcastin Flasin, Rama u shpreh i befasuar nga qëndrimi i opozitës, e cila sipas tij për herë të parë u rreshtua njësoj me socialistët në një çështje që lidhet me procesin e anëtarësimit në BE.

Ai theksoi se kjo tregon, sipas tij, një kuptim më të qartë të faktit se procesi i integrimit europian është i pandalshëm.

Kreu i qeverisë e cilësoi këtë votim si një zhvillim pozitiv dhe apeloi që për çështjet e integrimit politika shqiptare të ketë qëndrime të unifikuara, pavarësisht dallimeve partiake.

"Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave.

Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur", tha Rama.

Tre ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 114 vota pro dhe 1 abstenim rezolutën për Integrimin në Bashkimin Europian.

Dokumenti e cilëson integrimin evropian objektiv strategjik kombëtar dhe parashikon forcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e negociatave, mbikëqyrjen e reformave dhe kontrollin ndaj ekzekutivit./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll