
Kryetari i lëvizjes 'Shqipëria Bëhet' me një status të gjatë i është përgjigjur Agron Shehajt, kreu i Partisë “Mundësia”.
Në një postim, Shehaj bëri publike një dokument që tregonte sipas tij se Lapaj ka përfituar 45 milionë lekë nga një kompani e sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme. Bëhet fjalë për kompaninë “Merkaj 3 SHPK”, e cila u vendos nën sekuestro nga SPAK për shkak të lidhjeve me grupin kriminal të “Çopjave” dhe dyshimeve për pastrim parash.
Shehaj shtonte në deklaratën e tij se çështja nuk qëndron vetëm te fakti i marrjes së këtyre fondeve, por tek arsyet dhe mbështetja që Lapaj gëzon nga strukturat më të errëta të sistemit.
Ndërsa në kanalet e tij të komunikimit, kreu i lëvizjes 'Shqipëria Bëhet' shprehet se dokumenti në fjalë është bilanci publik sipas ligjit i një kompanie private që tregon se i ka detyrim personit fizik Avokat Adriatik Lapaj 4,5 milion lekë. Lapaj ka renditur 10 pika ku tregon se gjithçka e thënë nga Shehaj është një mashtrim dhe se do ngre padi në gjykatë për shpifje.
Postimi i Adriatik Lapajt:
Agroni sot ka thënë që unë kam marrë para nga krimi për politikë.
Ka nxjerrë dhe një dokument që ai pretendon se unë kam marrë para nga krimi për politikë.
Pra, Agroni me zë e figurë, po u thotë shqiptarëve për politikë se unë kam marrë nga krimi 4,5 milionë lekë.
Le ta marrim me radhë:
1. E para, dokumenti në fjalë është bilanci publik sipas ligjit i një kompanie private që tregon se i ka detyrim personit fizik Avokat Adriatik Lapaj 4,5 milion lekë. Në fakt, mua më kanë borxh shumë kompani e persona që i kam përfaqësuar si avokat!
2. E dyta, nuk kam marrë 4,5 milionë, kompania që citon ti m'i ka borxh për punën si avokat. Ka afro 2 vite që nuk më likuidon lekët. Hallet e veta. Nuk i'a kanë dalë! Gënjeshtra jote e parë!
3. Z. Shehaj ju pretendoni se unë jam paguar 4,5 milionë nga kjo kompani për politikë. Në fakt ky është mashtrimi juaj i dytë i kryer publikisht. Unë si avokat këtë profesion kam! Te rasti në fjalë kam ofruar shërbime civile dhe konkretisht kam qenë avokati që ka përfaqësuar 35 familje pronare të një toke që kompania në fjalë ka blerë. Si avokat kam përpiluar kontratat dhe kam ndjekur procesin juridik.
4. Z. Shehaj ju thoni që kompania në fjalë është sekuestruar nga Spaku duke synuar që të krijoni dëmtimin tim si imazh te votuesit. Pra, doni të krijoni perceptimin që Adriatiku bashkëpunon me krimin. Në fakt, kompania në fjalë nuk është e sekuestruar nga Spak. Gënjeshtra jote e tretë! Administratori saj është nën hetim. Halli i vet! Shërbimi im si avokat është për kompaninë afro 2 vite para se administratori saj të merrej nën hetim. Kontrata është me kompaninë dhe jo për punët e Administratorit. Gënjeshtra jote e katërt! Kjo për të qenë korrekt, se unë dhe sot mund ta përfaqësoj pa problem atë kompani ose administratorin e saj edhe në Spak se kjo është puna ime. Përfaqësues ligjor! Avokat!
5. Z. Shehaj, nëse do qenë para që krimi m'i jepte, do m'i kishin dhënë, e nuk do më mbeteshin borxh 2 vite. Madje do m'i jepnin jo me bankë!
6. Punën si avokat nuk ma kanë paguar dhe do duhet të vete në gjyq për t'i marrë. Ndoshta dhe nuk i marr dot e puna iku dëm! Po ky është hall për mua!
7. A janë kriminelë ata apo jo, për mua ka pak rëndësi se unë nuk kam profesion të qenit Klerik, por avokat. Avokati përfaqëson edhe ata që shkelin ligjin. Madje kryesisht ata që shkelin ligjin. Është si t'i thuash doktorit pse i hoqe dhëmballën një trafikanti.
8. Unë si avokat o Agron përfaqësoj këdo dhe kam detyrim t'i deklaroj në shtet. Fakti që janë deklaruar tregon se unë punoj me kontrata e fatura, jo në të zezë. Ndoshta ti je mësuar në të zezë!
9. Ti Agron për politikë nuk paske limite, por përballë ke një njeri të ligjit! Tani, o unë do dënohem nga gjykata për bashkëpunim me krimin e organizuar o ti do dënohesh për shpifje!
10. Pa dashje, ti Agron më bëre një nder! Nga teoria lekët t'i jep Sorosi, kaluat te teoria pse punon avokat! Me pak fjalë Sorosi paska qenë jo mjaftueshëm i pasur sa të më linte të kisha nevojë për para nga krimi.
Të mesme nuk ka!
Shihemi në gjykatë!
Ti që hyre në politikë pa të njohur askush e pas 8 viteve deputet bën revolucionarin duke më thënë mua që nuk kam punuar 1 ditë në shtet se unë jam sistemi që ty të paska nxirë jetën! Luftë kërkove, luftë do kesh! Dmth kur nuk pyes shefin tënd Saliun, ty do e shohësh rrugës çfarë të kam!
Deklarata e Agron Shehajt:
Ferdinandi më shkruajti sot në mëngjes dhe më tha:
“Jo të gjitha paratë që përdor Adriatiku janë para të pista, sepse disa nga ato para i kam dhënë edhe unë.” Edhe unë, thotë Fredinandi, kam dhënë një kontribut.
Ky është një dokument i vitit 2024. E gjeni në QKB. Është bilanci i një kompanie të sekuestruar nga SPAK-u për pastrim parash, që tregon se Adriatiku ka marrë 45 milion lekë. Pyete, meqë ke kontakte me të, pse i ka marrë këto para, sepse arsyeja pse i ka marrë është më e rëndë se fakti që i ka marrë.
Mua më vjen keq, sepse shumë prej atyre që mund të kenë besuar tek Adriatiku, por edhe ata që duan të vazhdojnë të besojnë, do të zhgënjehen. Por këto janë faktet. Shkoni dhe shikoni vetë. Është dokument publik.
E vërteta është që ky është një sistem i kalbur dhe Adriatiku është i mbështetur nga i gjithë sistemi. Jo vetëm kaq, por është i mbështetur edhe nga pjesa më e errët dhe më e zymtë e këtij sistemi. Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm dhe të shikojmë në thellësi, sepse na kanë gënjyer dhe do të vazhdojnë të na gënjejnë./Versus.al







