Pas shkresës së Këshillit Bashkiak ku i kërkohej që në rast pamundësie për t’u paraqitur në mbledhjen që mbahet nesër në orën 16:00 për shkarkimin e tij, kryebashkiaku i arrestuar ka kthyer përgjigjie ndaj organit kolegjial të bashkisë Tiranë.
Duke patur parasysh që shkresa ishte firmosur nga sekretariati i këshillit, Veliaj shkruan se sekretari nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial siç është këshilli. Më tej Veliaj pretendon se këshilli nuk i ka dërguar asnjë shkresë zyrtare lidhur me protokollin e mbledhjes, për çfarë do të zhvillohet dhe për cilat arsye kërkohet shkarkimi i tij.
Përgjigjja e Veliajt:
Në përgjigje të shkresës nr. 32059/2 prot., datë 22.09.2025, me firmën e sekretarit të Këshillit Bashkiak, evidentojmë se nuk përmban vendimmarrjen me votim të Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procedurën e shkarkimit të iniciuar ndaj tij, si organi që ka kompetencën për të vendosur mbi praninë, dëgjimin dhe mbrojtjen e Kryetarit të Bashkisë.
Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Çdo komunikim i Sekretarit të Këshillit që shkon përtej funksioneve tekniko-administrative përbën tejkalim të kompetencës dhe cenim të parimit të ndarjes së funksioneve. Sekretari është një funksionar administrativ, jo organ politik me vendimmarrës në këtë procedurë. Kompetenca e tij kufizohet në sigurimin e infrastrukturës organizative të mbledhjeve; shpërndarjen e materialeve dhe njoftimeve; protokollimin dhe mbajtjen e procesverbaleve. Ai nuk ka asnjë tagër ligjor të japë udhëzime mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për t’u dëgjuar apo për të interpretuar kërkesat e Kryetarit. Në një procedurë që mund të përfundojë me shkarkimin e Kryetarit, e drejta për t’u dëgjuar dhe mbrojtur e Kryetarit të Bashkisë, nga një organ kushtetues është thelbësore. Kjo e drejtë nuk mund të reduktohet në një njoftim formal të sekretarit të Këshillit Bashkiak lidhur me mundësinë potenciale për të sjellë një mbrojtje me shkrim.
Pavarësisht sa më sipër, nga përmbajtja e shkresës së dërguar nga ana e sekretarit të Këshillit Bashkiak, unë kryetari bashkisë vetëm informohem se Këshilli Bashkiak, ditën e nesërme, në orën 16:00, ka një mbledhje, pa u informuar zyrtarisht se për çfarë do të zhvillohet kjo mbledhje dhe cili është rendi i ditës së saj, si dhe nuk kam asnjë informacion zyrtar (përveç lajmit mediatik) lidhur me garantimin e së drejtës për t’u dëgjuar në këtë mbledhje, e cila edhe nëpërmjet kërkesës nga ana ime do të duhej të më ishte mundësuar kryesisht nga ana juaj.
Ende sot, një ditë përpara vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, nuk jam informuar zyrtarisht nga ky këshill lidhur me mbajtjen e një mbledhjeje në të cilën do të vendoset lidhur me shkarkimin tim si Kryetar Bashkie, shkaqet e shkarkimit, materialet që më ngarkojnë me përgjegjësi, sqarimet përkatëse nga ana juaj, këndvështrimin e sqarimeve dhe provave nga ana ime lidhur me shkeljen e pretenduar dhe materialet mbi të cilat ajo mbështetet, dhe si rrjedhojë nuk më është krijuar mundësia për t’u mbrojtur, dhënë shpjegime dhe për t’u dëgjuar nga ky organ kolegjial, as fizikisht dhe as me shkrim. Për tërë këtë periudhë kam qenë i ndodhur në kushte e paraburgimit, bazuar në një masë sigurimi personale, mundësitë i kam të kufizuara.
Për sa më sipër, mbetem në pritje të vendimmarrjes me votim nga ana e Këshillit Bashkiak, për garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procesin e iniciuar për shkarkimin e tij.
KRYETARI
Erion Veliaj. Versus.al







