Primaret në Partinë Demokratike që do të mbahen më 1 mars duken si një proces për të ‘krasitur’ grupin aktual parlamentar të kësaj partie, jo me largime e përjashtime, por duke u vetëtërhequr.
Kjo ndodhi një ditë më parë me Helidon Bushatin, deputetin e Shkodrës, që njoftoi mospjesëmarrjen në primare, edhe pse nuk i kurseu elozhet për kreun e PD, Sali Berisha. Pas tij ishte Ferdinand Xhaferri, deputeti i Qarkut të Durrësit, i cili ka kundërshtuar këtë proces primaresh dhe ka akuzuar Berishën se me agjendën e tij nuk i shërben demokratëve.
E ndërsa kanë mbetur 10 ditë nga momenti kur anëtarët do të votojnë mbi listat e kandidatëve të ndarë sipas qarqeve, tërheqjen nga gara e primareve e ka njoftuar edhe Petrit Doda, deputet i Tiranës, Eralda Bano e Qarkut të Fierit, Emilia Koliqi e Qarkut Fier. E po kështu raportohet se në primare nuk do të hyjë as Oriela Nebiaj, deputete në Qarkun e Tiranës.
E ndërsa ka një tërheqje të disa prej anëtarëve të grupit parlamentar aktual, duket se ‘besnikët’ e Berishës, si dhe drejtuesit politikë të qarqeve, kanë siguruar vendet në listat e mbyllura. Dhe ndoshta kjo mund të jetë arsyeja që kemi një tërheqje nga gara e primareve të deputetëve apo figurave të tjera në këtë parti.







