
Gjatë tryezës së zhvilluar në kryesinë e Kuvendit me krerët e institucioneve të pavarura, ishte e pranishme edhe kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami e cila ngriti shqetësimin se Kuvendi nuk ka marrë parasysh kërkesat e KLGJ-së sa i takon uljes së stokut të dosjeve në gjykatat e vendit.
Ajo tha se duhet një ndërhyrje në ligje për të ulur stokun e dosjeve të mbetura në gjykata për vite me radhë dhe se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa bashkëpunim me Kuvendin. Mirëpo shtoi se pavarësisht se shqetësimi i KLGJ është dërguar në Kuvend prej 6 muajsh, ende nuk ka asnjë lloj veprimi lidhur me këtë çështje.
“KLGJ ka depozituar disa nisma që kanë të bëjnë me beklogun dhe këto nisma kanë mbi 6 muaj që janë pranë Kuvendit, i kemi raportuar dhe vazhdojmë që ti raportojmë, janë bërë me grupin e punës me strategji për uljen e beklogut dhe deri më tani nuk kemi asnjë feetback nga kuvendi mbi ecurinë pavarsisht urgjencës dhe nevojshmërisë që kemi deklaruar ne për këto nisma. Ne si KLGJ, unë jam edhe për pak ditë kryetarja e KLGJ, por kjo s’më bënë që të mos i jem zëri i sistemit në këtë forum. Ne jemi të hapur për të filluar punë intensivisht sepse ato që ne kemi propozuar i kemi depozituar dhe janë gjëra konkrete, nuk janë nisma që janë bërë për ndryshime, por janë nisma që kanë një raport analizë se si do të ndërhyjmë në këto ligje. Unë them që të vihet sa më shpejtë në lëvizje për këto nisma. Nëse ne nuk bashkëpunojmë për të realizuar këtë, KLGJ nuk ka ca bënë më në kompetencat e saj nëse nuk mbështetet nga Kuvendi”, tha ajo.
Në përgjigjie të Llagamit, deputetja socialiste Klotilda Bushka tha se po punohet për propozimet që synojnë uljen e dosjeve të mbetura stok dhe se është kërkuar edhe futja e këtyre propozimeve në procedurë parlamentare.
“Janë depozituar dy paketa ligjore për uljen e beklogut dhe një paketë tjetër është depozituar më vonë dhe të 3 paketat janë pjesë e të njëjtave ndryshime ligjore dhe plotësimin i të gjithë paketës është bërë para mbylljes së sesionit në gusht. Kjo paketë është gati për tu vijuar si nismë në këtë sesion parlamentare dhe kërkon prioritet dhe duhet ndjekur nga kuvendi. Është bërë me mbështetje të ekspertizës së BE dhe SHBA dhe duhet futur në procedurë parlamentare” u përgjigj deputetja. Versus.al







