
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka dalë në një konferencë për mediat ku ka folur lidhur me ftesën që SHBA-të i kanë dërguar Shqipërisë për të qenë anëtare e Bordit të Paqes për Gazën.
Ajo hodhi poshtë spekulimet se vendi ynë do të paguajë 1 miliardë dollarë për të qenë anëtare e bordit, apo se palestinezët do të zhvendoseshin në Shqipëri. Duke e cilësuar opozitën si “të dëshpëruar”, Spiropali tha se një ftesë e tillë konfirmon besimin e ndërsjellë me aleatët strategjikë.
“Në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për bordin me palestinezë që do i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë. Tamam kur kjo ftesë e drejtëpërdrejtë e Trump për kryeministrin e Shqipërisë konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë mes Shqipërisë dhe SHBA, në Tiranë pasqyrat mediatike mbushen me shëmbëlltyrat e dëshpërimit a thua se në bordin e paqes do ulet partia e një pjese të shqiptarëve”- u shpreh Spiropali.
Sipas saj kjo ftesë i shuan spekulimet rreth marrëdhënies së administratës së Trump me kryeministrin Edi Rama.
“Kjo ftesë nuk është vetëm nder i madh, por është një përgjegjësi e lartë shtetërore. Më vjen vërtet keq për nevojën për të komentuar politikisht. Nuk ishte fare rasti për t’i mbushur kanalet me opozitarizëm shiu e bore, por rasti më opozitar për të heshtur. Besoj se kjo ftesë është e mjaftueshme për t’i shuar të gjitha fabrikimet që kanë qarkulluar gjithë këtë kohë lidhur me qasjen e presidentit Trump ndaj qeverisë tonë apo vetë kryeministrit”- shtoi ajo.
Ndërsa mes të tjerash komentoi edhe qëndrimet e vazhdueshme të ambasadës së SHBA në Tiranë ku në mënyrë të përsëritur theksohet nevoja për të luftuar kartelet e drogës.
“Në asnjë moment nuk i janë referuar Shqipërisë e cila nuk përjashtohet nga fenomente të tilla, por për të cilat nuk mbajnë përgjegjësi as shqiptarët si popullsi, as autoritetet e vendeve të tjera. Ashtu sit ë gjitha shtetet e tjera kanë sfida kur vjen puna tek lufta kundër krimit të organizuar, luftës kundër korrupsionit, etj. Ajo që është e qartë është se SHBA e Shqipëria kanë një partneritet të fortë i cili jo vetëm nuk është lëkundur, por prioritetet e SHBA janë edhe prioritetet tona. Jo më kot Shqipëria në raportet e BE, rezulton një vend që luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e të tjera prioritete e ka sot në nivelin më të lartë në Ballkanin Perëndimor”- tha ministrja. Versus.al

