POLITIKË /

Nga sot Berisha dhe dhëndri i tij merren zyrtarisht të pandehur për aferën "Partizani", mbështetësit protestë para SPAK

Prokurorët e SPAK do të vendosin Berishën dhe Malltezin para provave të gjetura nga hetimi për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Shkruar nga Versus
Nga sot Berisha dhe dhëndri i tij merren zyrtarisht të pandehur
Berisha dhe Malltezi

Tiranë- Prokuroria e Posaçme (SPAK) pritet që tu komunikojë sot akuzat zyrtare ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani gjatë kohës kur PD ka qenë në pushtet.

Berisha do të paraqitet sot në SPAK rreth mesditës ndërsa dhëndri i tij Malltezi dy orë më pas, rreth orës 14:00.

Nga ana tjetër, paralelisht me mbërritjen e Berishës, është paralajmëruar edhe një protestë e mbështetësve të PD jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme si një mesazh për SPAK-un.

“Të mobilizohemi të gjithe maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtësisë”, thuhet në mesazhin e Flamur Nokës drejtuar anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së.

Që prej nëntorit të vitit 2023 Jamarbër Malltezi u caktua në arrest shtëpie, ndërsa i njëjti fat përndoqi më pas edhe kryedemokratin Sali Berisha i cili pavarësisht fletëthirrjeve të SPAK për t’u paraqitur në ambientet e prokurorisë, refuzoi të shfaqej duke bërë që për të GJKKO të caktonte masën e arrestit shtëpiak që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.

Prej muajsh, Berisha të gjitha ligjërimet e tij politike i ka mbajtur nga dritarja e ballkonit të katit të tetë në rrugën “Mustafa Gjollesha” në kryeqytet ku edhe mbahet nën arrest shtëpie. Ndaj tij, hetimet janë bërë në kuadër të akuzës për korrupsion pasiv, por pritet të mësohet gjithashtu nëse është hapur edhe një hetim pasuror.  

Ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Prokurorët e SPAK do t’i vendosin të dy ata sot përballë provave të gjetura nga hetimi i deritanishëm lidhur me këtë aferë. Versus.al

Poll