
Gjatë takimit me përfaqësues të biznesit në Shqipëri, kryeministri Edi Rama e solli sërish në vëmendjen paketën ligjore të ndërmarrë nga qeveria sa i takon cilësisë së ndërtimeve në vend.
“Edhe pse ka një ndryshim prapë sandartet e zbatimit të projekteve janë larg asaj që duhet të jenë dhe dëmet që shkaktohen si dëme kolaterale vazhdojnë të jenë prezente. Ne kemi kaluar një bllok të ri masash ligjore lidhur me ndërtimin, shpresoj që të ndihmojë për të rritur cilësinë”- u shpreh kreu i qeverisë.
Ai tha se është e patolerueshme dhe kriminale që njerëzit të paguajnë kursimet e një jete dhe të marrin shtëpi në godina pa cilësi dhe për më tepër që nuk marrin dot as lejen e ndërtimit. Sipas tij, një gjë e tillë do të marrë fund pasi qeveria ka ndërmarrë edhe ligjin për “listën e zezë’ të ndërtuesve.
“Njerëzit e kanë ëndërr të marrin një shtëpi. Janë paratë e një jete apo kredi që duan një jetë të shlyhen dhe nuk ka dëm më të madh sesa të paguajnë për një produkt të cilësisë së parë dhe të marrin produkt të cilësisë së tretë. Nuk mund të tolerohet që ndërkohë që ne miratojmë projekte që janë të cilësisë së parë kur i sheh atje në terren nuk ngjajnë fare. Nuk mund të tolerohet siç ndodhi para ca kohësh me një zonë që kishte blerë apartamentin me ballkon dhe kur shkoi i kishte ikur ballkoni dhe i kishte vënë derën në rrugë ai në kat të parë se nuk i kishte dalë mirë llogaria. Këto gjëra janë kriminale, ashtu siç është kriminale që njerëzit të paguajnë për të marrë një shtëpi dhe pastaj të mos marrin dot hipotekën sepse ndërtuesi luan me lejen dhe… megjithatë besoj se gjërat do të ndryshojnë edhe se ne tani kemi vendosur me ligj listën e zezë. Kush hyn në listë të zezë nuk do mund të marrë më dot leje për nuk e di sesa vite”- shtoi kryeministri. Versus.al


