POLITIKË /

Olta Xhaçka përballet sërish me drejtësinë: Gjykata e Lartë shqyrton më 21 tetor rekursin e Belerit

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 21 tetor për shqyrtimin e rekursit të bërë nga eurodeputeti Fred Beleri, i cili kërkon detyrimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të nisur hetimet ndaj ish-ministres së Mbrojtjes dhe bashkëshortit të saj, biznesmenit Artan Gaçi. Nëse Gjykata e Lartë vendos në favor të eurodeputetit, kjo mund të hapë rrugën për hetime të reja dhe potencialisht të vërë në pikëpyetje mandatin e Olta Xhaçkës si deputete.

Shkruar nga Versus

Olta Xhaçka përballet sërish me drejtësinë: Gjykata e

Edhe pse është rizgjedhur deputete në Parlamentin e Shqipërisë pas zgjedhjeve të 11 majit, Olta Xhaçka vijon të përballet me sfida ligjore. Gjykata e Lartë ka caktuar datën 21 tetor për shqyrtimin e rekursit të bërë nga eurodeputeti Fred Beleri, i cili kërkon detyrimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të nisur hetimet ndaj ish-ministres së Mbrojtjes dhe bashkëshortit të saj, biznesmenit Artan Gaçi.

Beleri ka kallëzuar penalisht çiftin Xhaçka-Gaçi dhe ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Ai i akuzon ata për një sërë veprash penale, të lidhura me tjetërsimin e sipërfaqeve të konsiderueshme të tokës në zonën e Gjilekës, ku kompania e Gaçit ka përfituar statusin e “investitorit strategjik”.

Bazuar në këtë kallëzim, SPAK arrestoi më herët Jorgo Goron, i cili u mor i pandehur për shpërdorim detyre në dy raste. Sipas SPAK, Goro ka bashkëpunuar me zyrtarë të Kadastrës Shtetërore për të falsifikuar dokumente dhe për të kaluar prona shtetërore në Himarë në pronësi të privatëve, prona që më pas përfunduan në favor të shoqërisë së Artan Gaçit.

Megjithatë, ndryshe nga Goro, ndaj Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj, SPAK nuk ka regjistruar procedim penal. Kjo vendimmarrje është kundërshtuar nga Beleri në të dyja shkallët më të ulëta të sistemit gjyqësor dhe tashmë çështja ka mbërritur në Gjykatën e Lartë.

Më 21 tetor, Kolegji Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, do të shqyrtojë në dhomë këshillimi nëse rekursi i Belerit do të pranohet. Nëse Gjykata e Lartë vendos në favor të eurodeputetit, kjo mund të hapë rrugën për hetime të reja dhe potencialisht të vërë në pikëpyetje mandatin e Olta Xhaçkës si deputete.

Poll