Prej muajsh Radio Televizioni Shqiptar ka nisur një reformë dhe përfituesit kryesor janë artistët e Orkestrës, të cilët nga ana tjetër sot Drejtori i Përgjithshëm nuk e di se ku po bëjnë prova, pavarësisht se veten e cilëson artist si ata…
Kështu deklaroi mes të tjerave para komisionit të Medias Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza, i cili saktësoi se kur e etiketon veten artist e ka fjalën për shkrimtar.
Ndërkohë 60 artistët e orkestrës së RTSH-së, sipas deputetëve të opozitës, ankohen se nuk kanë ku të bëjnë prova dhe se, janë futur në një ‘vrimë miu’ që zë deri në 20 persona, kur ata janë trefishi në numër. Instrumentistët e RTSH ankohen se janë lënë tek “dera e banjos” të bëjnë prova, duke rrezikuar dhe shëndetin, ndërkohë që thonë se paguhen rreth 100 mijë lekë të reja më pak se instrumentitët e TKOB-së. Por Peza, ndërkohë që nuk e di se ku bëjnë prova, theksoi se ka kthyer në RTSH mundësinë e rregjistrimit të orkestrës, sepse për 31 vjet ka munguar një kartë zëri që të mundësonte rregjistrimin e koncerteve të RTSH-së.
Raportimi për punën 1 vjeçare të RTSH u shoqërua me debate mes Pezës dhe deputeteve Ina Zhupa, Flutura Açka dhe deputetëve të tjerë të opozitës.
Duke raportuar për pushimet e shumëpërfolura nga puna brenda stafit të RTSh, Peza tha se në total janë vetëm 166 punonjës të larguar nga puna, dhe disa prej tyre, tha ai janë 'kazuse gazetarie' për nga niveli i paaftësisë apo angazhimit në punë. Ai u shpreh se me marrjen e detyrës ka konstatuar pjestarë të stafit të RTSH—së të cilët nuk paraqiteshin në detyrë dhe as kryenin ndonjë funksion veç marrjes së rrogës.
“Nga 15 qershori i vitit 2023 kur mora detyrën, në total janë larguar 166 punonjës nga puna: nga të cilët 21 kanë dalë në pension, 89 janë dorëhequr, 44 të tjerë janë shkarkuar me procedurë, dhe 12 të tjerë kanë braktisur vendin e punës. Deri tani nuk i kemi shkaktuar asnjë dem Buxhetit të Shtetit” – tha Drejtori i Përgjithshëm i RTSH
Deputetja Ina Zhupa ka pyetur drejtpërdrejt Pezën nëse ka paditur ndonjë nga parardhësit e tij në detyrë, meqë ka gjetur këtë lloj problematike që shkel ligjin, por Peza ju shmang përgjigjes, pa bërë asnjë koment mbi këtë pikë.
Çështja e shumëpërfolur e mungesës së Kampionatit Europian “Euro 2024” në ekranin e RTSH, për mos blerje të së drejtës së transmetimit, u sqarua si një çështje e tregut të lirë nga Peza. Ai tha se RTSH ka ofruar një shifër, sipas tij, shumë të mirë, por që në fund shton ai, fiton ai që ofron më shumë.
“Është një e drejtë për të cilën konkurrohet në treg dhe fiton ai që jep ofertën më të lartë. Kemi dhënë një ofertë shumë të mirë dhe konkurruese. Ka pasur një shtyrje prej disa javësh të përgjigjes, e sigurisht që e ka fituar ai që ka paguar më shumë. Sa i përket transmetimit "free", e drejta e transmetimit është e drejta e transmetimit me paketa dhe me free. Ata që e kanë blerë janë të detyruar që ta japin "free".” – tha Peza gjatë raportimit të tij
Kritik me drejtimin e Radio Televizonit Shqiptar, nga Alfred Peza ka qenë dhe kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo, i cili gjatë raportimit nuk i kurseu as batutat me antarët e Komisionit të Medias. Bungo në komision, tha se problem i madh në RTSH është mungesa e transparencës dhe shoku psikologjik që u është shkaktuar punonjësve për shkak të largimeve masive nga puna. Bungo solli dhe një rast konkret, ku sipas tij, Peza ka kaluar kompetencat e tij dhe ka shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm Teknik, ndërkohë që ky i fundit mund të shkarkohej vetëm me vendim të Këshillit Drejtues. Probleme sipas tij, ka pasur dhe në emërimin e 5 drejtuesve kryesorë të RTSH-së, për të cilët Peza ka patur vetëm një kandidaturë dhe ata kanë nisur punën dhe pse nuk janë votuar në Këshillin Drejtues. “Ka akoma emisione që nuk kanë kaluar strukturën në Këshillin Drejtues dhe ndërkohë janë në transmetim. Largimet e shumta kanë krijuar një shok tek punonjësit dhe nuk është reform të rrijë një grua tek dera me bllok tek dera duke parë se kur vijnë stafi në 08.00 apo 08.05. Reforma në RTSh nuk kërkon këtë lloj disipline, sepse stafi është krijues, gazetarë, artistë” , tha mes të tjerave kreu i Këshillit Drejtues të RTSH, Bungo gjatë ndërhyrjeve në raportimin në Komisionin e Medias.







