
Partia Demokratike ka nisur procesin e Primareve për të zgjedhur përmes votës së anëtarësisë kandidatët për në zgjedhjet e 11 majit.
Ky proces ka nisur me një mesazh dërguar kryetarëve të grupit të PD. Në mesazh thuhej se nëse kanë vendosur të garojnë për Primare duke u përfshirë në rrethin e kandidaturave elektorale brenda datës 26 janar duhet të depozitojnë dorheqjen nga pozicioni i kryetarit të degës.
Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përllogaritur ndarjen e mandateve në listë të hapur dhe të mbyllur në 12 qarqet e vendit. Sipas formulës që do aplikohet për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, 46 deputetët e parë të çdo subjekti garues do të jenë produkt i listës së mbyllur ku renditjen e ka caktuar kryetari, ndërkohë vetëm partitë që arrijnë të marrin një numër mandatesh që tejkalon listën e mbyllur do kenë mundësi të çojnë në Kuvend deputetë si preferencë e qytetarit.
Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, partitë politike duhet të gjejnë 186 kandidatë, pasi ndonëse garohet për 140 ulëse në Parlament, ndarja e listës së kandidatëve në dy pjesë, një e fiksuar dhe pjesa tjetër e hapur, detyron subjektet garuese të paraqesin më shumë emra./Versus.al







