POLITIKË /

“Persona të paautorizuar në qendrat e votimit”- Policia reagon pas denoncimit në Cërrik

Në një prononcim për mediat, kandidati Eligert Hima i "Shqipëria bëhet" tha se individë të panjohur qëndronin në hyrje të qendrave të votimit me qëllim ushtrimin e presionit ndaj votuesve

Shkruar nga Versus

“Persona të paautorizuar në qendrat e votimit”- Policia

Policia e Elbasanit ka reaguar pas deklaratave të kandidatit të subjektit “Shqipëria Bëhet”, Eligert Hima, i cili akuzoi se pranë qendrës së votimit në gjimnazin “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona të paautorizuar që po intimidonin qytetarët.

Në një prononcim për mediat, Hima tha se individë të panjohur qëndronin në hyrje të qendrave të votimit me qëllim ushtrimin e presionit ndaj votuesve.

Menjëherë pas këtij denoncimi, Policia e Elbasanit njoftoi se ka kryer verifikimet e nevojshme në terren. Sipas saj, nga kontrollet e zhvilluara nuk janë konstatuar persona të dyshimtë apo të paautorizuar në afërsi të gjimnazit “Tomorr Sinani”, si dhe nuk është evidentuar asnjë problematikë lidhur me procesin zgjedhor.

Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan thuhet:

“Pas pretendimeve të njërit prej kandidatëve për zgjedhjet vendore, se pranë gjimnazit ‘Tomorr Sinani’ ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Nga verifikimet e kryera nuk janë konstatuar shtetas në afërsi, apo pranë qendrës së votimit. Gjithashtu, nuk janë vërejtur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë qendrave të votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë.”
Policia e Elbasanit shton se mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar rendin, qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për të verifikuar me përgjegjësi çdo njoftim apo denoncim që lidhet me zgjedhjet. / Versus

 

Poll