
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij në godinën blu në përfundim të protestës së nisur para qeverisë nga ku pati përplasje mes policisë dhe protestuesve që u zhvendos edhe para kuvendit.
Berisha tha se policia përdori mjetet e dhunës së pajustifikuar ndaj protestuesve. Ndërsa paralajmëroi kryeministrin Edi Rama, Berisha i bëri thirrje policisë që të lirojë 25 protestuesit e arrestuar.
“Policia përdori në agresivitet absolut mjetet e dhunës, sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaz helmues, topa uji e mjete të tjera. Pra Edi Rama kërkonte përleshjen e demonstruesve me policinë. E garantoj se protestuesit do përleshen me Edi Ramën. I them këtu mos ndërse policinë kundër protestuesve. U bëj thirrje policëve të mos bëhen shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligj e moral, të një njeriu që çdo tullë të shtëpisë së vetë e ka të vjedhur. Sot duhet të ndiheni krenarë për aktin tuaj, të betohemi se me këtë betejë kilometri ynë i fundit do jetë fundi i merituar i Edi Ramës dhe narkoqeveritarëve të tjerë.
Kërkojë lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë të cilët nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty vetëm si akt urrejtje me urdhër të Edi Ramës. U kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëherë, të mos zbatojnë asnjë urdhër që bie në kundërshtim me kushtetutën e vendit”- deklaroi kreu i PD duke shtuar se “Tani jemi në fushëbetejë dhe nuk ndalemi deri në rrëzimin e tij”. Versus.al

