
Partia Demokratike mban sot protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë, ku kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndalimin e asaj që opozita e cilëson si ndërhyrje dhe bllokim të drejtësisë, veçanërisht në lidhje me rastin “Balluku”.
Tubimi pritet të nisë në orën 17:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë. Gazetarët që zbulojnë zhvillimet në selinë blu raportojnë se gjatë protestës do të ketë fjalime politike, por përjashtohet mundësia që Partia Demokratike të qëndrojë sot për një kohë të pacaktuar në shesh.
Sipas disa burimeve mediatike, opozita po përgatitet për protesta të qëndrueshme dhe nuk përjashtohet që në një tubim të ardhshëm të vendoset qëndrimi i përhershëm përpara Kryeministrisë deri në largimin e kreut të qeverisë. Por sot duket se nuk do të mungojë as reagimi qytetar, duke përfshirë edhe përdorimin e molotovëve, siç ndodhi në protestën e kaluar.
Nga ana tjetër, policia ka marrë masa të shtuara sigurie. 1350 efektivë policie do të angazhohen për mbarëvajtjen e protestës. Sipas planit zyrtar të masave, do të ketë bllokime të shumta të qarkullimit rrugor:
Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të ndalohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”;
Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.
Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shpërndarë një mesazh sigurie për shtetasit amerikanë që jetojnë ose ndodhen në Shqipëri. Në njoftim thuhet se protesta pritet të zhvillohet në segmentin midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë Kryeministrisë, duke paralajmëruar prani të shtuar policore, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut.
Ambasada këshillon qytetarët amerikanë të shmangin zonën e protestës, të ndjekin mediat lokale dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve për çdo zhvillim të ri.
Protesta e sotme pritet të zhvillohet në një klimë të fortë tensioni politik, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te mbarëvajtja e tubimit dhe reagimi i institucioneve.

