POLITIKË /

Publikohen për herë të parë pamje nga paraburgimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Dhomat e Specializuara shfaqin ambientet ku qëndrojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi: palestër, zona sociale dhe hapësira për takime me familjarët

Shkruar nga Versus

Publikohen për herë të parë pamje nga paraburgimi i

Për herë të parë që nga nisja e proceseve gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë publikuar pamje nga ambientet e brendshme të paraburgimit ku po mbahen Hashim Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë.

Në videon e publikuar, shfaqen hapësirat ku Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi kalojnë përditshmërinë e tyre. Aty përfshihen palestra, ambientet e qëndrimit ditor, zonat për socializim, si dhe dhomat e dedikuara për takime me familjarët dhe vizitorët.

Pamjet tregojnë gjithashtu edhe ambientet e jashtme për ajrim dhe aktivitet fizik. Sipas njoftimit zyrtar, të paraburgosurit kanë të drejtë të marrin pjesë edhe në shërbesa fetare gjatë qëndrimit të tyre në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Dhomat e Specializuara sqarojnë se masa e paraburgimit aplikohet vetëm kur konsiderohet e domosdoshme për zhvillimin normal të procesit gjyqësor, veçanërisht kur ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët apo pengimit të procedurave.

“Të pandehurit që janë të paraburgosur para ose gjatë gjyqit të tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Aty kanë qasje në ajër të pastër dhe aktivitete fizike, mund të shoqërohen, të presin vizitorë dhe të marrin pjesë në shërbesa fetare. Paraburgimi vendoset vetëm kur është e nevojshme për të parandaluar rreziqe të konsiderueshme, si për shembull ndikimi apo frikësimi i dëshmitarëve. Çdo dy muaj, gjyqtarët e rishikojnë vendimin për të vlerësuar nëse paraburgimi mbetet i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.

Poll