Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në Bashkinë e Tiranës, ku zhvilloi një takim pune me drejtuesit më të lartë të bashkisë. Në takim morën pjesë kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, znj. Anduela Ristani, së bashku me nënkryetarët dhe drejtorët e institucioneve të varësisë.
Mbledhja nisi në orën 19:00 dhe kishte si qëllim analizimin e progresit të punëve dhe projekteve që janë aktualisht në zbatim në kryeqytet. Ky ishte një ndër takimet e zakonshme të vlerësimit javor që kryeministri zhvillon me administratën lokale të Tiranës, për të ndjekur nga afër dinamizmin e zbatimit të reformave dhe projekteve publike.
Ndërkohë, nesër, më 11 mars 2025, është caktuar seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit për të shqyrtuar ankimin ndaj masës së sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e pezulluar të Tiranës, Erion Veliaj. /Versus.al/







