
‘’Çmimi i tradhëtisë së 77 kartonave’’, kështu e nis reagimin e tij në rrjetet sociale, pastori Akil Pano i cili së bashku me një grup qytetarësh protestuan dje nga mëngjesi në darkë jashtë Kuvendit kundër ligjit për barazinë gjinore.
Pas botimit në fletoren zyrtare tashmë ligji merr formën e tij të plotë, ndërsa kjo ka sjellë një zemërim të pastorit i cili i quajti deputetët socialistë ‘’sekt’’ që votoi kundër familjes dhe Shqipërisë. Akil Pano i akuzon ligjvënësit që ngrenë kartonat pro qeverisë në Kuvend se e kanë ‘’shitur shpirtin e kombit për 30 monedha argjendi’’.
’’Sekti votoi kundër interesave më të lartë të familjes, Shqiptarëve, Shqipërisë. Mes tyre, të krishterët dhe muslimanët votuan kundër Biblës dhe Kuranit. Dishepujt dhe një herë treguan që kulti i tyre më i lartë është pushteti. Çdo gjë veç Zotit.
Si do të dilni sot përpara babait dhe nënës, gruas dhe fëmijëve tuaj o të paudhë. Ju që me ngritjen e kartonit mohuat ata që ju rritën dhe dënuat ata që quani të ardhmen tuaj.
Ofruat bijtë tuaj si olokaust në zjarr, mbi altarët e Baalit dhe Molekut në këmbim të pushtetit. Sektarë të paditur, të kapur nga një botë instiktesh, të verbër që ndiqni qorrazi udhën e gjerë që ju çon në shkatërrim. Shitët shpirtin e kombit për 30 monedha argjendi pa menduar që ky është çmimi që i vendosët shpirtit tuaj’’- shkruan mes të tjerash pastori i cili shpesh herë ka protestuar për mbrojtjen e vlerave të familjes dhe kombit shqiptar. Versus.al

