
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi bëri deklarata të forta në emisionin “Opinion” ku tha se në 2018-ën Lulzim Bashës i cili asokohe ishte kreu i PD, iu refuzua viza amerikane.
Sipas saj shkak për refuzimin e vizës së Bashës, janë bërë hetimet mbi dosjen e financimeve ruse.
“Jam e sigurt sepse ne do të iknim bashkë në Miçigan, ku unë kisha disa takime të tjera dhe ai do të bënte disa takime të tjera dhe zotit Basha iu refuzua viza amerikane. Dhe për këtë arsye duke qenë se ka filluar edhe presioni i McGonigal në atë kohë që nuk është thjesht si çështje, por ekziston një file për financimet ruse”, tha Kryemadhi.
Mes të tjerash, deputetja tha se pas kryebashkiakut Veliaj, radha për t’u arrestuar mund t’i vijë Lulzim Bashës për shkak të shkeljeve që ky i fundit ka në xhirot e bizneseve të tij. Sipas Kryemadhit, për Bashën po bëhen edhe hetime nga qeveria e Holandës.
“Unë asnjëherë nuk gaboj dhe nuk them gjëra që janë të pavërteta. Është një gjë që përsëri edhe historia e z.Basha, siç i erdhi Erion Veliajt radha, do t’i vijë dhe z.Basha radha. Unë shpresoj që qeveria holandeze të ketë mbaruar hetimin se me çfarë jeton bashkëshorti i znj.Basha në Shqipëri dhe me çfarë funksionon partia politike e tij”- u shpreh ajo.
Pjesë nga intervista në emision:
Monika Kryemadhi: Mjafton të shikosh sot xhirot e bizneseve të ish-kryetarit të opozitës, z.Basha, do të kuptoni se kush e ka blerë.
Blendi Fevziu: Pse ka biznese z.Basha?
Monika Kryemadhi: Duke filluar që nga projekti i Portit të Durrësit, për të vazhduar pastaj..
Blendi Fevziu: Është Al Abari..
Monika Kryemadhi: Po kunati i vetë (i z.Basha).
Blendi Fevziu: Z.Basha është në projektin e Durrësit?
Monika Kryemadhi: Bashkëpunëtorët e z.Basha janë ata të cilët janë pjesë jo vetëm në marketingun e shitjes së apartamenteve apo për të vazhduar dhe me projekte të tjera që nëpërmjet zyrës së Kryeministrit kanë bërë biznese pranë z.Basha në Ukrainë apo dhe me shumë projekte të tjera.
Blendi Fevziu: Në Ukrainë?
Monika Kryemadhi: Po. Patjetër. Unë asnjëherë nuk gaboj dhe nuk them gjëra që janë të pavërteta. Është një gjë që përsëri edhe historia e z.Basha, siç i erdhi Erion Veliajt radha, do t’i vijë dhe z.Basha radha. Unë shpresoj që qeveria holandeze të ketë mbaruar hetimin se me çfarë jeton bashkëshorti i znj.Basha në Shqipëri dhe me çfarë funksionon partia politike e tij.
Blendi Fevziu: Ka një investigim nga pala holandeze?
Monika Kryemadhi: E mira vonon por në fakt do të vijë një ditë ashtu siç erdhi dhe për çështjen e inceneratorit që akoma nuk është zbardhur deri në fund. Versus.al








