Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot së bashku me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn në përurimin e godinave të reja të konviktit në qytetin Studenti. Rama tha se godinat e reja përmbushin standartet më të larta të Bashkimit Europian. Ndërsa tha se aktualisht vendi po përjeton një periudhë suksesi, duke pretenduar se ata të cilët nuk e shohin, thjesht nuk pëlqejnë qeverinë.
“Shqipëria është histori suksesi, është për të ardhur keq që thjesht se nuk e duan qeverinë, mjafton kjo për të mohuar faktin që Shqipëria është vendi i përbashkët i të gjithëve është një histori suksesi. Është për të ardhur keq, sepse nëse nuk e njeh këtë histori suksesi, nuk kupton sesa duhet të përmirësohet”- tha Rama.
Ndërsa nuk la pa thumbuar as kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, të cilin pavarësisht se nuk e përmendi me emër, la të kuptohet se bëhej fjalë për të.
“Por edhe për faktin më të thjeshtë akoma, një përballje që lidhet me një përndjekje të të ligës të të keqes dhe shpirtit të keq që e ka bërë Shqipërinë të humbasë shumë shance e të futet në qorrsokak duke filluar që nga shpallja e pavarësisë. Sapo ngritën flamurin, panë t’ju qepeshin edhe shejtanët e Shqipërisë që arritën edhe ta dominonin vendin. Tanimë kemi mundësinë të ndihemi të çliruar se shejtanët aty janë por në rastin më të keq luajnë rolin e hudhrës që na mbajnë larg syrin e keq dhe na motivojnë më shumë të bëjmë punë të mira dhe të jemi kritikë ndaj vetes”- përfundoi Rama në fjalën e tij.
Nga ana tjetër kryebashkiaku Erion Veliaj tha se duke filluar nga shtatori në shkollat 9 vjeçare të Tiranës do të ofrohet edhe dreka dhe fëmijët do kenë mundësi të qëndrojnë deri në pasdite. Versus.al








