
Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në hapjen e Kongresit Botëror të Ligjit, një ngjarje që do të mbledhë vitin e ardhshëm në Shqipëri personalitetet më të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare.
Të pranishëm në këtë samit hapës ishin edhe prokurori i SPAK, Vladimir Mara dhe kreu i BKH, Joni Keta. Gjatë fjalës së tij, Rama nënvizoi se në Shqipëri duhet të ketë një sundim të fortë të ligjit në mënyrë që të arrihen objektivat e Reformës në Drejtësi. Mes të tjerash dha edhe një shembull për të treguar sesi nuk ka rëndësi kombësia e një personi, por sistemi i ngritur në një shtet.
‘’Sistemet nëse nuk janë të ndërtuara mbi bazën e institucioneve që garantojnë sundimin e ligjit korruptojnë këdo. Po e risjell një shembull këtu. Kur diskutohej vendosja e rripit të sigurimit në Shqipëri, ishte jashtëzakonisht e vështirë për t’u perceptuar nga shqiptarët. Kishte një fakt që e dallonte shqiptarin këtu me shqiptarin në Gjermani. Asnjë shqiptar në Gjermani nuk e konceptonte dot që të ndizte makinën pa vënë rripin. Por shumë pak e konceptonin që të vinin nga Gjermania e këtu e të mbanin rrip. Një ditë një ambasador gjerman më thotë çudi e madhe ju shqiptarët as këtë nuk e mësoni dot shpejt. Unë i thashë në Shqipëri kam parë punonjës të ambasadës gjermane që nuk mbajnë rrip. Sepse nuk është kombësia që e përcakton sjelljen e një individi në raport me ligjin, është sistemi.
Gjermanët madje në Shqipëri i gëzoheshin mosvënies së rripit të sigurisë. Ky është hendeku që duhet të mbushim me Reformën në Drejtësi, krijimi i një sistemi që e bën të pamundur abritraritetin që edhe sot është i kudondodhur në sistemin tonë shtetëror, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë. Jemi të vendosur që të mos lejojmë që të ketë kthim prapa, ta bëjmë të pakthyeshëm këtë proces. Në këtë pikë ka diçka që është garanci shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, Bashkimi Europian. Nëse BE nuk do ishte aty, nëse shqiptarët nuk do ta dëshironin aq shumë BE nuk do arrinim kurrë të ndërtonim një sistem të pavarur drejtësise. Ose do arrinim aq sa kanë arritur afganët pas bombave e përpjekjeve utopike të Perëndimor për të çuar demokracinë në ato vende’’- u shpreh Rama. Versus.al

