POLITIKË /

Skandali te Onkologjiku, ministrja Koçiu: Do të propozojmë në Kuvend ndryshime në ligjin për Urdhrin e Mjekut

Sipas Koçiut me ndryshimet në ligjin për Urdhrin e Mjekut, do parashikohen sanksione të rënda ndaj atyre që shohin më së pari përfitimin ekonomik sesa shëndetin e qytetarëve.

Shkruar nga B.V
Skandali te Onkologjiku, ministrja Koçiu: Do të propozojmë
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë daljes për mediat pas vendimeve të sotme të qeverisë, foli edhe për skandalin e zbuluar ditën e djeshme në spitalin e Onkologjikut dhe bëri me dije se ndër veprimet e ndërmarra do të jetë edhe paraqitja në Kuvend e ndryshimeve në ligjin për Urdhin e Mjekut.

Sipas Koçiut ndryshimet do të përmbajnë sanksione ndaj cilitdo mjek apo mjekeje që e sheh jetën njerëzore si mënyrë të fitimit të parave në kurriz të shëndetit të qytetarëve.

“Dua të theksoj që korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interesit public dhe kujtdo që i shkon mendja për të kryer veprime të tilla të turpshme. Kemi nisur një hetim administrative krahas hetimit që ka nisur prokuroria të cilën e nxis t’i shkojë deri në fund hetimit dhe të ndëshkojë në mënyrë shembullore këdo. Hetimi që ne kemi nisur me strukturat e brendshme të auditit, do të trajtojë organizimin dhe punën në këtë shërbim. Është e patolerueshme që mjeku, figura më e lartë që duhet t’u shërbejë njerëzve të mund të trajtojë jetën si një mall të tregun e shumicës. Do prezantojmë ndryshime ligjore, për të bërë amendime në ligjin për urdhrin e mjekut për të vendosur aty sanksione të rënda që ndëshkojnë ata që e trajtojnë jetën e njeriut si një mall të treg shumice”- u shpreh Koçiu.

Dy mjekët Edmond Gashi dhe Alketa Ymeri (Pere) së bashku me nëndrejtoreshën Brikena Qirjazi u vunë nën hetim nga SPAK pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke mos u dhënë shërbim qytetarëve dhe duke i drejtuar ata tek klinika private dhe farmaci me barna që ishin futur kontrabandë në vendin tonë. Kordinatori i spitalit të Onkologjikut, Emiljano Lela luante rolin e “sekserit” duke gjetur pacientë të sëmurë që i çonte tek klinika “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, ku ishte e punësuar edhe doktoresha Alketa Ymeri (Pere). Dosja e përgjimeve zbulon megaskandalin ku mësohet se as pajisja për trajtimin e kancerit nuk ishte vënë në punë edhe pse ishte sjellë në vitin 2021. Ministrja Albana Koçiu reagoi pas skandalit duke shkarkuar menjëherë nga detyra, mjekët përgjegjës dhe zv.drejtoreshën. Versus.al

Poll