
Ditën e djeshme përveç masave të sigurisë për kryebashkiakun Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 5 biznesmenë, SPAK njoftoi marrjen nën hetim të deputetes socialiste Klotilda Bushka nën dyshimin se kjo e fundit kishte tentuar të pengonte procesin hetimor ndaj Veliajt.
Sot në komisionin e ligjeve, deputeti i PD, Dashnor Sula i kërkoi Bushkës që të linte pozicionin e drejtueses për shkak të hetimeve që po bëhen ndaj saj.
“Ju ftoj t’i thërrisni ndërgjegjies dhe nga ky moment, komisionin e ligjeve nuk do duhet ta drejtoni ju, por ta drejtojë të paktën sot nënkryetarja zonja Dhurata Çupi sepse ju si qeveri nuk keni legjitimitetin moral për ta drejtuar.
Ju drejtohem me dashmirësi se kemi 4 vite që punojmë bashkë, do ishte në nderin tuaj personal që sot si komision të kemi një reagim unifikues në këtë situatë. Prandaj zonja Bushka, ia lini radhën zonjës Çupi ta drejtojë”- tha deputeti Sula.
Ndërsa deputetja tha se sqarimet për akuzat e bëra nga SPAK do i japë kur të pyetet dhe se do të vijojë të drejtojë komisionin.
“Në lidhje me çështjen, ju sqaroj që ky është komision ligjesh, jo hetimor. Po ushtroj detyrën time si drejtuese. Nëse kam diçka për të sqaruar do e sqaroj atje ku kërkohet. Sa i takon çështjes së dinjitetit, kam qenë e dinjitetshme dhe do vazhdoj të jem e dinjitetshme”- tha Bushka. Versus.al







