POLITIKË /

SPAK mbylli hetimet për Berishën dhe dhëndrin, ‘sagë’ gjyqesh apo pushim i çështjes? 3 skenarët për dosjen 'Partizani' në GJKKO

Ndër 3 skenaret, ai i pushimit të çështjes ka më pak gjasa të ndodhë.

Shkruar nga Versus
SPAK mbylli hetimet për Berishën dhe dhëndrin,
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi

Të hënën, Prokuroria e Posame (SPAK) njoftoi mbylljen e hetimeve për dosjen hetimore të aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani, për të cilën u morën të pandehur 5 persona, mes tyre edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Sot, avokatët përkatës të këtyre dy të fundit u paraqitën në SPAK ku firmosën mbylljen e hetimeve dhe morën në dorëzim dosjen voluminoze të akteve hetimore me 500 faqe ku Sali Berisha akuzohet për korrpsion pasiv dhe dhëndri i tij Malltezi, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Por çfarë pritet të ndodhë pas firmës së avokatëve?

Ka disa skenarë të cilët mund të vihen në zbatim, tashmë që dosja do të kalojë në Gjykatën e Posaçme. Skenari i parë është që pas hedhjes së shortit, trupa gjykuese e përcaktuar të marrë për shqyrtim dosjen dhe të caktojë datën e seancës së parë gjyqësore duke nisur kështu atë që pritet të jetë ‘sagë’ gjyqesh për kryedemokratin dhe dhëndrin e tij.

Skenari i dytë është që, GJKKO të mos pranojë për shqyrtim aktet hetimore dhe ta kthejë dosjen për plotësim faktesh, në rast të mangësive në dosjen hetimore të përgatitur nga prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Ndërsa skenari i tretë është që GJKKO të mbyllë çështjen dhe të ndalojë të gjitha veprimet proceduriale hetimore, gjë që ka pak gjasa të ndodhë. Por në këtë rast, Berisha, dhëndri i tij Malltezi si dhe tre të pandehurit e tjerë, ndërtuesi Fatmir Bektashi, juristja Andia Pustina dhe Xhimi Begeja shpallen të pafajshëm.

Ndër këto tre skenarë, ky i fundit është me më së pakti mundësi të ndodhë, pasi SPAK duket se ka kopsitur një dosje të tërë ndaj të gjithë të pandehurve, duke renditur në dosje edhe veprime me llogaritë bankare të të hetuarve, nga ku doli se Jamarbër Malltezi i cili akuzohet edhe për pastrim parash, kishte paguar qindra mijëra euro fatura për studio ligjore në kuadër të procesit gjyqësor që vjehrri i tij Sali Berisha po ndjek ndaj SHBA dhe Britanisë së Madhe ku është shpallur non-grata. Versus.al

Poll