
Pavarësisht se tashmë ka humbur edhe mbështetësit më besnikë si Enkelejd Alibeaj dhe Kreshnik Çollaku, deputeti i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk heq dorë nga ideja e tij për të ankimuar në Gjykatën e Lartë vendimin që ia dha Sali Berishës vulën e PD-së.
Nëpërmjet një videoje të publikuar në facebook, Basha shprehet se do ta çojë edhe në Strasburg nëse është nevoja vendimin për vulën e PD-së që iu dha Berishës.
“Ky është një vendim katastrofë. Është sikur t’ju vijë dikush në shtëpi, t’ju thotë çohuni se kjo nuk është shtëpia juaj, është shtëpia ime dhe nuk ke të drejtë as të ankohesh në gjykatë.
Dhe pikërisht në radhë të parë për të mos pranuar padrejtësinë dhe në radhë të dytë për të mos pranuar që sistemi i drejtësisë t’i kthehet rrugëve të vjetra do të bëjmë apelin, do ta çojmë në Gjykatën e Lartë. Do ta çojmë në çdo shkallë të drejtësisë, deri në Strasburg sepse nuk mund të pranojmë që padrejtësia të kthehet në normë në këtë vend”- tha Basha.
Më tej ai shtoi se nuk mundet që Sali Berisha të jetë opsion për të qenë në krye të PD dhe përballë Ramës duke mos u lënë shqiptarëve mundësi tjetër gare.
“U servirin shqiptarëve pyetjen “kush është më pak i korruptuar, Rama apo Berisha?”. Ndërkohë tjetri është i përcaktuar non-grata nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, është nën hetim për korrupsion, është përjashtuar me vendimin tim. Dhe ti nga mëngjesi në darkë çohesh me obsesionin e Sali Berishës. Duhet të shkojmë tek qytetarët të bëjmë një ofertë politike”- shtoi deputeti duke theksuar se rruga e tij me Berishën është ndarë njëherë e mirë. Versus.al







