
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme, 22 korrik 2026, një sërë vendimesh dhe projektligjesh që prekin fusha të ndryshme, nga mbrojtja sociale dhe siguria rrugore, te marrëdhëniet ndërkombëtare dhe procesi i integrimit europian.
Një ndër vendimet kryesore të miratuara është Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026-2030, së bashku me planin e veprimit për periudhën 2027-2029. Dokumenti synon përmirësimin e masave për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugët e vendit.
Qeveria miratoi gjithashtu marrëveshjen me qeverinë e Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare, e cila do t’i nënshtrohet procedurave të ratifikimit në Kuvend.
Një tjetër vendim lidhet me transportin ndërkombëtar rrugor me Ukrainën, ku Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen përkatëse mes dy vendeve.
Në fushën e sigurisë, qeveria përcaktoi rregullat dhe procedurat për kompensimin në rastet e plagosjes apo dëmtimit të shëndetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe trajtimin e familjarëve të efektivëve që humbin jetën për shkak të detyrës.
Në mbledhje u miratuan edhe disa ndryshime në skemat e përfitimeve për personat me aftësi të kufizuara, ndihmësit personalë, personat e verbër, si dhe masa të veçanta mbrojtjeje për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë nën 18 vjeç.
Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu masat për hartimin e legjislacionit në fushën penale, në kuadër të procesit të integrimit europian.
Ndërkohë, me një vendim të veçantë, Vilma Premti është liruar nga detyra e zëvendësministres për Evropën dhe Punët e Jashtme.

