EKONOMI & MJEDIS /

Bie prodhimi vendas i pijeve freskuese me 15%

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2023, u prodhuan 66,1 milionë litra pije freskuese. Krahasuar me vitin 2022, prodhimi vendas u ul me 15%

Shkruar nga M.H
Bie prodhimi vendas i pijeve freskuese me 15%
Foto ilustruese

Prodhuesit e pijeve freskuese vijojnë të punojnë me kapacitet të reduktuar gjatë vitit, për shkak të rënies së konsumit nga emigrimi i popullsisë. Këta muaj vere, prodhuesit më të mëdhenj shtuan deri në 7% prodhimin për shkak të turizmit.

Por kostoja e prodhimit mbetet e lartë, nga rritjet e pagave të punonjësve, ndërsa çmimi i energjisë prej gati dy vitesh është stabilizuar. Kjo po sjell humbjen e konkurrueshmërisë, pasi pijet freskuese nga importi, veçanërisht Italia dhe Polonia, tregtohen me çmime më të lirë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2023, u prodhuan 66,1 milionë litra pije freskuese. Krahasuar me vitin 2022, prodhimi vendas u ul me 15%.

Nga viti 2013 deri në 2016, tendenca e prodhimit ka pasur rritje të lehtë. Piku i prodhimit është shënuar në vitin 2019 dhe 2021. Në vitin 2021 u prodhuan 80,2 milionë litra pije freskuese.

Në raport me 2021, prodhimi për vitin 2023 është ulur me rreth 18%.

Bie konsumi

Në vështirësi më të madhe janë fabrikat e vogla prodhuese, që shpërndajnë produktet e tyre drejt zonave rurale, të cilat janë detyruar të pakësojnë prodhimin.

Kosta Bezhani, administrator i fabrikës së Dropullit, që prodhon prej vitit 1992 pijet freskuese të markës “Fresh Company”, pohoi për “Monitor” se është duke vënë në punë fabrikën vetëm me një turn punonjësish dhe me kapacitete të kufizuara, për shkak të mungesës së fuqisë blerëse.

“Ky vit mund të konsiderohet ndër më të vështirët për sa i përket konsumit, çka po ndikon automatikisht te reduktimi i prodhimit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që në fabrikë të punohet vetëm me një turn punonjësish në periudhën e sezonit turistik.

Në muajt e nxehtë të verës, kur edhe kërkesa për pije freskuese është e lartë, linjat e prodhimit vendoseshin në punë me tre turne punonjësish, ditë-natë.

Ndërsa sivjet në muajt e verës nuk ka kërkesë të lartë për pije freskuese. Konsumi është i njëjtë me sezonin e kaluar.

Prisnim fluks të lartë turistësh, por shohim që sivjet nuk ka turistë. Ndërsa gjatë vitit, kërkesa është shumë e ulët, për shkak të emigrimit të popullsisë, veçanërisht në zonat rurale që pothuajse janë shpopulluar”, pohon ai.

Rënia e konsumit

Kosta Bezhani : “Ky vit mund të konsiderohet ndër më të vështirët për sa i përket konsumit, çka po ndikon automatikisht te reduktimi i prodhimit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që në fabrikë të punohet vetëm me një turn punonjësish në periudhën e sezonit turistik. Në muajt e nxehtë të verës, kur edhe kërkesa për pije freskuese është e lartë, linjat e prodhimit vendoseshin në punë me tre turne punonjësish, ditë-natë.


Tendenca rënëse për blerje, për shkak të emigracionit, veçanërisht në rrethe është ndier edhe nga prodhues të sektorëve të tjerë, siç janë prodhuesit e ujit të pijshëm, për shkak të largimeve në emigracion.

Popullsia ka pësuar rënie në të gjitha qarqet e vendit sipas të dhënave të Censit 2023, krahasuar me të dhënat e 2011-s. Vetëm për Tiranën ka rritje me vetëm 1,2%.

Nga të dhënat e Censit, rënia më e madhe e popullsisë në përqindje ka ndodhur në Shkodër me 28,3% banorë më pak krahasuar me të dhënat e 2011, dhe në Kukës me 27,3%, teksa popullsia Tiranës, gjatë kësaj periudhe, është shtuar me vetëm 1,2%.

Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26,8% në 2011 në 31,6% në 2023.

Por pakësimi i prodhimit, për shkak të rënies së konsumit që vjen nga ndryshimet demografike, e ka futur në vitin e pestë të vështirësive prodhuesin e vogël të pijeve freskuese në zonën e Dropullit. Mungesa e fitimeve po ia bën të pamundur sipërmarrësit për të kryer investime.

“Tashmë prej 5 vitesh ne prodhojmë, por me fitime tepër të ulëta, deri edhe pa fitim, kjo pasi nuk kemi kujt t’ia shesim prodhimin tonë. Në zonat rurale, popullsia është pakësuar, edhe në rrethe gjithashtu.

Nga ana tjetër jemi në vështirësi kostosh edhe nga punëtorët, që po paguajmë me paga të larta të pakualifikuarait.

Është vërtet e dhimbshme që investimet disa miliona euro të kryera ndër vite nuk po arrijnë të gjenerojnë fitime, por vetëm të ardhura në nivel page. Pra jemi sipërmarrës të kthyer në rrogëtarë.

Me të ardhura deri në 1 mijë euro në muaj”, pohon z. Bezhani.

Kompania “Fresh Company” është themeluar në tetor të vitit 1992. Pijet freskuese prodhohen në fabrikën e ngritur në zonën e Dropullit, me një investim mbi 7 mln euro në vitin 2008.

Në fabrikë janë rreth 50 të punësuar dhe 10 distributorë që janë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.

Krahasuar me vjet, numri i të punësuarve ka rënë me 10%. “Fresh Company” tregton pije freskuese në paketim 0,5 l dhe 1,5 l me logon “Fresh Cola”, “Rico Fresh”, “Turbo”, “Fresh Up”, “Fresh Orange”.

Si po ndikon turizmi te konsumi?

Për prodhuesit e mëdhenj, situata shfaqet ndryshe gjatë sezonit turistik. Ndërsa rënia e konsumit nga emigrimi është problematikë që ndihet edhe prej tyre gjatë muajve të tjerë të vitit.

Por sezoni turistik duket se nuk arrin të rikuperojë gropën e kërkesës e ndikuar nga ndryshimet demografike.

Përfaqësuesit e “Agna Group”, një nga prodhuesit më të mëdhenj të markave të huaja të pijeve freskuese si “Pepsi”, “7 Up”, “Ivi”, “Lipton”, pohuan për “Monitor” se për shkak të sezonit turistik prodhimi është rritur me 5 deri në 7% krahasuar me vjet.

Sipas tyre, kërkesa gjatë vitit nuk ka rritje, e ndikuar nga ndryshimet demografike të popullatës për shkak të emigrimit jashtë vendit.

Helidon Rruga, drejtuesi i fabrikës prodhuese të pijeve freskuese dhe lëngjeve të frutave “Derby Albania”, pohoi për “Monitor” se gjatë muajve të verës nuk hasin problem me konsumin, pasi ardhja e turistëve ka ndikuar pozitivisht te kërkesa.

Problem mbetet ecuria e kërkesës jashtë sezonit turistik.

“Në muajt e tjerë të vitit, kërkesa është me rënie, për shkak të reduktimit të popullsisë nga emigracioni, veçanërisht në zonat rurale ku shpopullimi është më i lartë”, pohon ai.

Në vitin 2022, për shkak të rritjes së kostove, të ndikuara nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, u detyruan të shtrenjtojnë çmimet e shitjes deri në 20%. Shtrenjtimi i çmimeve dhe eksodi veçanërisht i të rinjve në atë periudhë tkurri konsumin sipas prodhuesve.

Tashmë prej dy vitesh, prodhuesit pohojnë se nuk i kanë ndryshuar çmimet e shitjes së pijeve freskuese, pasi kjo do të ndikonte te humbja e konkurrueshmërisë krahasuar me mallrat e importit që vijnë më lirë dhe do të shtonte rënien e konsumit.

Por, sipas tyre, shkaku kryesor i tkurrjes së konsumit jashtë sezonit të turizmit mbetet tkurrja e popullsisë nga emigracioni.

Në tregun e pijeve freskuese në Shqipëri, investimet e fabrikave prodhuese ndër vite janë për një treg më të madh konsumatorësh.

Teksa numri i popullsisë së Shqipërisë për vitin 2023, krahasuar me 2011 është 420 mijë banorë më pak sipas të dhënave të Censit.

Sektori i pijeve prodhuese vijon të mbetet pa punonjës; Rritja e pagave shton kostot

Pakësimi i popullsisë dhe mplakja e saj ndër vite po thellon gropën e mungesës së fuqisë punëtore. Prej disa vitesh, prodhuesit e pijeve freskuese vijojnë të ngrenë shqetësimin se nuk arrijnë të gjejnë punonjës, pasi të rinjtë po largohen në emigracion.

Me qëllim finalizimin e rekrutimeve, vitet e fundit bizneset kanë rritur pagat, duke i çuar në nivelet nga 700 deri në 1,000 euro.

Por edhe rritja e pagave duket se nuk arrin ta zgjidhë problematikën për punonjës. Nga ana tjetër, rritja e pagave po ndikon te prodhuesit së tepërmi te shtimi i kostove të prodhimtt, pasi po paguajnë edhe punonjës të pakualifikuar./ Monitor 

Poll