
Tiranë- Prokuroria e kryeqytetit ka dërguar në gjyq dosjen hetimore ndaj presidentit të “KF Tirana”, Refik Halili. Ky i fundit dhe klubi që ai drejton akuzohen se nuk kanë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të 29 lojtarëve gjatë viteve, 2014, 2015 dhe 2016.
Halili akuzohet për fshehje të ardhurash. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Halili fshehu 52 milionë lekë të ardhura duke shmangur tatimin mbi fitimin.
“Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr.1755, të vitit 2017, rezultoi se për vitet 2014, 2015, 2016, ‘Futboll Klub Tirana’ ka pasur të federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit 29 lojtarë për sezonin futbollistik 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016. Por në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për "Klubi i Futbollit Tirana" nuk u deklaruan në listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit.
Nga analizimi i të dhënave prokuroria doli në konkluzion se subjekti “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a dhe administratori i kësaj shoqërie, shtetasi Refik Halili, gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre kanë fshehur të ardhurat në vlerën totale prej 51.975.745 lekësh, duke bërë të mundur shmangien e Tatimit mbi Fitimin dhe Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Pra Halili akuzohet se nuk ka bërë deklarime reale në organet tatimore duke arkëtuar edhe tatimin mbi fitimin që duhej të paguante.
Ndërsa “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a ka konsumuar gjatë aktivitetit të tij elementë të veprës penale ‘Fshehje e të Ardhurave’ të parashikuar nga Neni 180/3 i Kodit Penal, ku vlera e fshehjes reale pa penalitete është 51.975.745 lekë. Versus.al







