AKTUALITET /

Rrumi i Shijakut e korruptoi me 900 mijë lekë për tokën në Lalëz, mbetet në fuqi dënimi për ish-avokatin e shtetit

Avokati i shtetit u korruptua nga Rrumi i Shijakut për të mos bërë asnjë veprim në proces gjyqësor për pronat në Gjirin e Lalëzit.

Shkruar nga Versus
Rrumi i Shijakut e korruptoi me 900 mijë lekë për tokën
Ish-avokati i shtetit, Irgen Kërçuku

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-avokatin Irgen Kërçuku i cili u korruptua me 9 milionë lekë të vjetra nga Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut) që të mos shkonte në një gjyq pronash.

Sipas SPAK, Irgen Kërçuku gjatë kohës që ushtronte profesionin e tij si avokat i shtetit, në qershor të 2017-ës shfaqet në një video-përgjim ku Rrumi i Shijakut i ofron rryshfet prej 900 mijë lekësh për të mos apeluar procesin gjyqësor për pronësinë e 45 mijë metrave katrorë pronë shtetërore në Gjirin e Lalzit.

Kërçuku mori pagesën për t’u mos u paraqitur në gjyqin me paditës Pal Selçuni dhe për të mos kryer asnjë veprim lidhur me këtë padi të bërë sa i takon tokës shtetërore në Gjirin e Lalëzit e cila nëpërmjet një skeme të mirëfilltë kriminale u regjistrua nën pronësinë e Rrumit të Shijakut.

Për këtë të fundit, ka një urdhër arresti të lëshuar nën akuzën e korrupsionit aktiv të zyrtarëve shtetërorë.

Rrumi i Shijakut e korruptoi me 900 mijë lekë për tokën
Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut)

Ish-avokati i vënë nën hetim dhe i lënë në masë arresti shtëpie nga GJKKO, ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendon se Rrumi i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë. Telefoni i Rrumit ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Aleksandër Lahos dhe prokurorit Arian Ndoja, të cilët udhëtonin në një makinë më 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës. Në këtë atentat Rrumi dhe prokurori u plagosën, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku. Versus.al

Poll