Bisedimet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat pritet të zhvillohen në ditët në vijim në Arabinë Saudite, duket se do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e Ukrainës.
Sipas një burimi të lartë qeveritar që foli për BBC, Kievi nuk ka marrë ftesë dhe nuk do të dërgojë një delegacion në takim. Më heret i dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, kishte deklaruar se qeveria ukrainase do të merrte pjesë në negociata. Megjithatë, BBC thekson se kjo nuk pritet të ndodhë në këtë fazë.
Rusia: Bisedimet për paqen, jo luftën
Në të njëjtën kohë, pala ruse komentoi edhe bisedën telefonike të fundit të Donald Trump me Vladimir Putin, e cila shkaktoi një aktivitet të dendur diplomatik në lidhje me luftën në Ukrainë.
Të dielën, zëdhënësi i Kremlinit tha se telefonata sinjalizon një afrim të ri midis dy vendeve, duke u fokusuar në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
"Ky është një mesazh i fortë që tregon se ne tani do të kërkojmë zgjidhjen e problemeve përmes dialogut," tha Dmitry Peskov. Ky i fundit shtoi se sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore nuk do të pengojnë bisedimet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke lënë të hapur mundësinë e heqjes së tyre në të ardhmen e afërt.







