Kuqezinjtë janë të motivuar dhe të gatshëm të bëjnë më të mirën në Euro 2024. Kështu deklaroi pasditen e së premtes trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo në një konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së ditës së nesërme kundër Italisë
“Para së gjithash, unë jam shumë i gëzuar që jam këtu, kemi pasur një garë të vështirë gjatë kualifikimeve. Nuk ka qenë e lehtë, por jam krenar që jam me Shqipërinë në Euro 2024. Më vjen keq për Gjimshitin që nuk ishte pjesë e ekipit në EURO 2016, por tani ai ka mundësinë si kapiten i ekipit të drejtojë Shqipërinë në këtë Europian. Kemi një grup të fortë, por kemi të gjitha mundësitë për të bërë mirë. E di si nuk është e lehtë. Në fillim është ndeshja me Italinë dhe formacioni startues është totalisht i gatshëm. Tërë stadiumi do jetë i veshur me ngjyrën e kuqe dhe do të jetë një përgjegjësi e madhe për ne.” – tha Silvinjo
Më tej nr 1 i kombëtares shqiptare zbuloi se nuk ka folur me Mançinin për gjashtë muajt e fundit.
“Ai bëri një punë të mrekullueshme duke fituar Kampionatin Europian. Kam 20 vite që e njoh. Ajo që ka drejtuar ai është e ndryshme nga kjo e sotmja. Itali ka shpejtësi, shkathtësi, me një trajner të mrekullueshëm. Italia është një “top” skuadër. Ajo vjen me dëshirën për të fituar kompeticionin, por edhe ne hymë për të bërë maksimumin. Skuadra është shumë e motivuar. Do dalim dhe do të bëjmë më të mirën që mundemi.”- tha në konferencë Silvinjo
Ndërsa Kapiteni Berat Gjimshiti u shpreh se skuadrën italiane e njohin mirë dhe kjo është një armë e fortë që ata e zotojnë.
“Sigurisht që të tre ndeshjet janë të rëndësishme dhe nisja me këmbën e mbarë mund të jetë një ndihmë shtesë dhe sigurisht mund të ndikojë në renditjen e grupit. Unë e njoh mirë Skamakën, kam një vit që luaj me atë, pas fitores së Ligës së Evropës nuk kam komunikuar. Nuk ka rëndësi unë apo Skamaka, por Italia dhe Shqipëria, pra ekipet. Italinë e kemi ndjekur dhe trajneri na ka treguar se ku është forca e tyre dhe duhet të jemi gati sigurisht”.
Pyetjes së gazetarëve italianë për numrin e shumtë të lojtarëve shqiptarë që luajë në Itali, kapiteni ynë iu përgjigj:
“Ne kemi një eksperiencë të madhe italiane, shumë lojtarë kanë luajtur në Itali dhe shumë prej nesh vijojnë karrierën aty. Gjithashtu dhe trajneri ynë e njeh mirë Italinë. Na ndihmon njohja e skuadrës italiane, dhe mund të jetë një armë e fortë për ne. Ne do të jemi shu7më të motivuar nesër dhe për këtë jemi përgatitur shumë”, u shpreh Gjimshiti.







