
Erbim Fagu është shkarkuar nga posti i trajnerit të klubit të futbollit “Tirana’. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi me anë të një postimi në rrjetin social “facebook”.
Kujtojmë se shkarkimi i tij ka ardhur si pasojë e mungesës së rezultateve dhe mosarritjes së kualifikimit të klubit në “final four” për të tentuar më pas fitoren e kupës së kategorisë Superiore.
Gjithashtu është ndërprerë kontrata edhe për zv.trajnerin Endri Vrapi.
Postimi i plotë
FALEMINDERIT ERBIM FAGU
KF Tirana njofton se ka mbyllur me konsensus bashkëpunimin me trajnerin Erbim Fagu.
Klubi i Futbollit Tirana shpreh mirënjohjen e pamasë për teknikun, mbi kontributin e madh që trajneri Fagu ka dhënë gjatë gjithë rrugëtimit si bardh’ e blu dhe njëkohësisht i uron suksese në vazhdimësi.
Faleminderit Erbim për emocionet dhe punën tënde të palodhur! Gjithmonë një vend mes nesh!
FALEMINDERIT ENDRI VRAPI
KF Tirana njofton se zv. trajneri Endri Vrapi dhe klubi vendosën me konsensus për të ndërprerë bashkëpunimin.
Vrapi u bashkua me Tiranën gjatë këtij sezoni, duke qenë ndihmës trajner, teksa klubi e falënderon për punën dhe kontributin me ngjyrat bardh’ e blu, duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierën e tij.







