Të enjten e 12 tetorit do të inaugurohet xhamia e Namazgjasë në qendër të Tiranës dhe pjesë e ceremonisë do të jetë edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan. Komuniteti Shqiptar Mysliman e ka cilësuar si një ëndërr të bërë realitet, teksa ka zbuluar se KMSH do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja. Ky i fundit do të këtë edhe rolin si kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej. Në këtë formë, KMSH ka hedhur poshtë zërat se në krye të saj do të jetë një imam turk i emëruar nga Ankaraja zyrtare.
“Të dashur motra dhe vëllezër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kënaqësinë t’ju njoftojë për evenimentin e madh që do të mbahet ditën e enjte në Tiranë, siç është inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë.
Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdoğan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të Qeverisë Shqiptare, që falë vullnetit të Kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë.
Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në cenermoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.
Ne falenderojmë popullin turk dhe presidentin Erdoğan, si edhe kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Këtu veçojmë gjithashtu ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deçiziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falenderim vëllazëror u shkon të gjithë atyre që e ndërtuan Xhaminë tonë të Madhe me mendjet e duart e tyre të arta.
Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.Falenderojmë Zotin që bëri të mundur arritjen e kësaj dite të shënuar!
Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë do të bëhet ditën e enjte, 10 tetor 2024”, thuhet në njoftim.
Xhamia ka përfunduar prej disa muajsh, mirëpo ka pasur zëra se është shtyrë inaugurimi i saj, për shkak të kërkesës së bërë nga vetë Erdogan për të larguar nga Shqipëria “Gylenistët”, kundërshtarët e tij të cilët i akuzon se me në krye Fetullah Gylen organizuan grushtin e shtetit në Turqi.
Projekti i Xhamisë së Namazgjasë
Xhamia e Namazgjasë është projektuar nga studio “Hassa Architecture” me qendër në Stamboll të Turqisë. Studio është e arkitektit turk Muharrem Hilmi Shenalp, i cili ka projektuar shumë xhami të ndërtuara në disa vende të botës, si në Berlin dhe Këln të Gjermaninë, në Tokio.
Xhamia e Namazgjasë ka elementë shqiptarë të një stili klasik ballkanas. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 6000 m² në vendin e njohur si Namazgjaja e Tiranës, me kupolën e lartë 35 metra dhe katër minaret, lartësia e të cilave shkon në 50 metra. Brenda në xhami mund të falen njëkohësisht rreth 5000 besimtarë.
Xhamia e Namazgjasë do të jetë një kompleks multifunsksional, ku përfshihen qendra kulturore, salla e madhe e konferencave me kapacitet rreth 400 vende, një sallë tjetër më e vogël, biblioteka me një sipërfaqe 200 m², klasa për kurse të ndryshme; gjithashtu, projekti lë hapësirë edhe për realizimin e një muzeu islam, i cili do të jetë i pari në Shqipëri në llojin e tij. Në projekt përfshihen parkingu me dy kate nëntokë, si dhe një numër i konsiderueshëm dyqanesh e ambientesh shërbimi. Shuma për ndërtimin e saj mendohet të shkojë rreth 40 milionë euro.Versus.al








