Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka organizuar sot një event për të kremtuar 5 vjetorin e krijimit të institucionit. Fjalën hapëse e mbajti kreu i SPAK Altin Dumani i cili tha se të gjithë prokurorët e institucionit frymëzohen nga besimi që ka arritur të marrë SPAK në publik.
Ai tha se sot nuk mund të ketë asnjë zyrtar të lartë publik të paprekshëm, por shtoi se në këtë drejtim ka shumë sfida dhe vështirësi.
“Ajo që na frymëzon është sa afër ndihemi me publikun, sa i prekshëm është jo vetëm besimi i tyre por rrëzimi i një mendësie e cila toleron korrupsionin, ku korrupsioni kalon vjedhurazi i pandëshkuar dhe krimi bën plane të të legjitimojë paligjshmërinë në hallka të ndryshme të jetës. Jemi përpjekur që në këto 5 vite të tregojmë se korrupsioni sfidohet, se sot nuk mund të ketë zyrtarë të lartë publikë të imunizuar nga drejtësia, se ligji funksionon dhe se të rinjtë mund të kenë besim te një shtet i së drejtës. Kjo përjekje e jona nuk ka kaluar pa vështirësi, korrupsioni e krimi nuk mund të zhduken brenda ditës”- u shpreh kreu i SPAK.
Dumani foli edhe për kërcënimet me të cilat janë përballur prokurorët e posaçëm duke theksuar se asgjë prej këtyre nuk i bën ata të heqin dorë nga rruga e nisur për të ndëshkuar ata që deri dje konsideroheshin “të paprekshëm”.
“Jemi përballur me përpjekje për të minuar punën tonë, me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë, por përballë tyre jemi mbledhur bashkë si trupë e vetme kolegësh. Kemi kuptuar sesa e rëndësishme është pavarësia e institucionit. Nëse dikush mendon ndryshe, gaboheni! Jemi betuar t’u shërbejmë qytetarëve shqiptarë. Çdo ditë i kujtojmë vetes se misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës”- shtoi Dumani.
Teksa tha se ishin sekuestruar asete me vlerë 182 mln euro të krimit të organizuar, Dumani nënvizoi edhe bashkëpunimin me agjencitë e huaja ligjzbatuese në goditjen e grupeve kriminale shqiptare në shtete të ndryshme. Versus.al








