
Protesta e 17-të para Kryeministrisë u zhvillua këtë të martë me pjesëmarrjen e të rinjve dhe studentëve nga Shqipëria dhe diaspora, të cilët ngritën shqetësimet e tyre për papunësinë, mungesën e meritokracisë dhe perspektivën e të rinjve në vend.
Gjatë fjalimeve, studentët denoncuan vështirësitë për të gjetur punë, pavarësisht arsimimit dhe kualifikimeve profesionale. Një studente kritikoi mungesën e lirive themelore dhe fenomenin e nepotizmit në tregun e punës, duke theksuar se ekziston një hendek i madh mes të drejtave të garantuara në ligj dhe realitetit që përjetojnë qytetarët.
“Punë ka, por shpesh merret me mik. Shumë të rinj ndihen të privuar nga të drejtat dhe mundësitë që meritojnë”, u shpreh ajo gjatë protestës.
Një tjetër student deklaroi se të rinjtë nuk janë kundër investimeve, por kundërshtojnë projektet që, sipas tyre, nuk shoqërohen me transparencë.
“Ne nuk jemi kundër investimeve, por kundër vjedhjeve dhe pasurimit të politikanëve apo oligarkëve në kurriz të qytetarëve. Shqipëria do të ndërtohet nga të rinjtë që besojnë tek ndryshimi”, tha ai.
Gjatë tubimit pati edhe reagime ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestat. Një nga protestuesit u shpreh se lëvizja qytetare do të vijojë dhe se pjesëmarrësit nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.Versus.al

