
Grupet kriminale shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës kanë pasur ndikim të gjerë në Ekuador, përfshirë lidhje me politika dhe financime elektorale.
Gazetari Artan Hoxha deklaroi sot gjatë një interviste mediatike se, në operacionet e fundit ndërkombëtare antidrogë janë sekuestruar rreth 50 tonë kokainë dhe janë lëshuar masa arresti për 10 persona, mes të cilëve përmenden Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florian Musai, Armando Pacani, Denis Matoshi, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Shpëtim Aliu dhe Dritan Gjika.
Hoxha e cilëson Dritan Gjikën si një nga figurat më të rëndësishme të dosjes, duke deklaruar se ai ka jetuar në Ekuador që prej vitit 2011 dhe ka ndërtuar lidhje të forta me rrethe të biznesit dhe politikës në vend.
Sipas tij, Gjika dyshohet se ka pasur kontakte me rrethin e ngushtë të ish-presidentit ekuadorian Guillermo Lasso, përfshirë edhe familjarë të tij, si dhe ka investuar në disa kompani të përbashkëta.
Gazetari pretendon gjithashtu se grupe të lidhura me shqiptarët kanë financuar me rreth 5 milionë dollarë fushatën elektorale të Lasso-s, në një garë zgjedhore të ngushtë, duke krijuar lidhje me struktura bankare dhe biznesi në vend.
Hoxha shton se prania e grupeve shqiptare në Ekuador është bërë më e ekspozuar vitet e fundit për shkak të hetimeve ndërkombëtare dhe ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend, të cilat kanë sjellë vëmendje të shtuar mbi aktivitetin e tyre.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të raportimeve mbi rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe ndikimin e tyre në Amerikën Latine.Versus.al

