AKTUALITET /

U përplas me skafin e policisë, gjendet pas 24-orësh mjeti i 22-vjeçarit të mbytur në Ksamil

Operacioni u krye mesditën e së martës nga specialistë të Policisë Kufitare Vlorë, me ndihmën e një vinçi, pasi mjeti ishte lokalizuar në një thellësi prej rreth 34 metrash

Shkruar nga Versus

U përplas me skafin e policisë, gjendet pas 24-orësh mjeti i

Është nxjerrë nga deti mjeti lundrues i përfshirë në aksidentin tragjik të ndodhur në Ksamil, ku humbi jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi.

Operacioni u krye mesditën e së martës nga specialistë të Policisë Kufitare Vlorë, me ndihmën e një vinçi, pasi mjeti ishte lokalizuar në një thellësi prej rreth 34 metrash.

Sipas burimeve, pas përplasjes me skafin e Policisë Kufitare, mjeti lundrues ka pësuar dëmtime të rënda dhe është fundosur në det. Pas nxjerrjes në sipërfaqe, ai është transportuar drejt vendbazimit të mjeteve të bllokuara në Ksamil, ku do të shërbejë si provë materiale në kuadër të hetimeve.

Ndërkohë, Policia Kufitare e Sarandës ka vijuar kontrollet në zonë, duke bllokuar gjithsej 8 mjete lundruese, prej të cilave 7 në Ksamil dhe 1 në Sarandë.

Mjetet e sekuestruara janë shoqëruar në portin e Sarandës dhe do t’i nënshtrohen verifikimeve teknike dhe ligjore për të përcaktuar nëse plotësojnë kriteret për qarkullim në det.

Hetimet për aksidentin tragjik vijojnë, ndërsa autoritetet po kryejnë kontrolle të shtuara për sigurinë e mjeteve lundruese në zonat turistike bregdetare.Versus.al

Poll