AKTUALITET /

Polici i plagosur gjatë aksionit në Maliq, Hita viziton kolegun e Enea Mekollit: Përveç shumës 30 mln lekë sipas ligjit, do të ndihmojë me trajtim jashtë vendit

Gjatë vizitës, Hita ka shprehur mirënjohjen për guximin dhe përkushtimin e efektivit në krye të detyrës, duke theksuar mbështetjen e Policisë së Shtetit për të gjithë punonjësit që përballen me rrezikun gjatë operacioneve.

Shkruar nga Versus

Polici i plagosur gjatë aksionit në Maliq, Hita viziton kolegun e Enea

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vizituar sot në ambientet e spitalit efektivin Edison Adri i cili mbeti i plagosur gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari.

Gjatë vizitës, Hita ka shprehur mirënjohjen për guximin dhe përkushtimin e efektivit në krye të detyrës, duke theksuar mbështetjen e Policisë së Shtetit për të gjithë punonjësit që përballen me rrezikun gjatë operacioneve.

Sipas tij, qeveria ka akorduar edhe shpërblimin e parashikuar me ligj për punonjësit e policisë të plagosur në detyrë, si dhe janë nisur procedurat për dërgimin e efektivit jashtë vendit për trajtim të specializuar mjekësor.

Efektivi Edison Adri mbeti i plagosur gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari, i cili gjatë ndërhyrjes ka hapur zjarr ndaj forcave të policisë. Në të njëjtin incident humbi jetën në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli, i shpallur më pas “Dëshmor i Atdheut”.

Policia e Shtetit ka vlerësuar aktin e efektivëve si shembull guximi dhe përkushtimi në luftën kundër krimit, ndërsa ka garantuar vijimin e operacioneve për rritjen e sigurisë publike në vend.

"Humbja e kolegut tonë të shtrenjtë, Enea Mekolli, i cili ra në krye të detyrës dhe sot është Dëshmor i Atdheut, është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen e Policisë së Shtetit. Fatmirësisht, ti i mbijetove sulmit me armë dhe sot je mes nesh, duke na dhënë forcë dhe shpresë.

Mbështetja jonë, por edhe e qytetarëve që respektojnë ligjin dhe duan rendin dhe sigurinë, do të jetë e palëkundur për ty dhe për familjen e Eneas.

Dua t’i garantoj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që shërbejnë çdo ditë me integritet dhe sakrificë, se do të kenë gjithmonë mbështetjen time të plotë, në çdo kohë dhe përballë çdo sfide.

Qytetarëve iu garantoj se, pavarësisht rrezikut dhe kostove njerëzore që kjo luftë mund të sjellë, ne nuk do të tërhiqemi asnjë hap përballë krimit. Do të vazhdojmë të jemi në vijën e parë, me vendosmëri, profesionalizëm dhe dinjitet, për të luftuar krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve", tha Hita.

Poll