EKONOMI & MJEDIS /

Karakaçi: Familjarët dhe bizneset e vogla do të vijojnë të mbrohen me çmime të rregulluara të energjisë

Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e pavarësisë së Entit Rregullator të Energjisë, si dhe rregullimin e plotë të operatorëve të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë

Shkruar nga Versus

Karakaçi: Familjarët dhe bizneset e vogla do të vijojnë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka prezantuar në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm projektligjin e ri “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili synon liberalizimin e tregut duke ruajtur njëkohësisht mekanizmat mbrojtës për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.

Sipas Karakaçit, pavarësisht parimit të tregut të lirë që kërkon legjislacioni evropian, Shqipëria ka negociuar me institucionet e BE-së për të ruajtur çmimet e rregulluara për kategoritë më të ndjeshme të konsumatorëve.

“Familjarët dhe bizneset e vogla do të vazhdojnë të mbrohen përmes një klauzole të zgjeruar të detyrimit të shërbimit publik, që lejon çmime të rregulluara edhe më të ulëta se tregu”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se çmimet do të vijojnë të përcaktohen nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), në kuadër të mekanizmave që synojnë mbrojtjen nga luhatjet e tregut të lirë.

Karakaçi e cilësoi projektligjin si një reformë afatgjatë që do të përcaktojë funksionimin e sektorit energjetik për dekadën e ardhshme dhe që është pjesë e procesit të integrimit europian.

Sipas tij, ligji është në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe përbën një komponent të rëndësishëm të Kapitullit 15 të negociatave, si dhe të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e pavarësisë së Entit Rregullator të Energjisë, si dhe rregullimin e plotë të operatorëve të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë.

Ndër risitë kryesore përfshihet për herë të parë në legjislacion koncepti i depozitimit të energjisë elektrike, krijimi i komuniteteve energjetike, si dhe rregullimi i stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike.

Në aspektin e tregut, ligji harmonizon funksionimin me bursën shqiptare të energjisë ALPEX dhe përcakton tre segmente kryesore: tregun afatgjatë, tregun ditor dhe tregun brenda ditës.

Sipas ministrit, konsumatorët do të kenë të drejtën të zgjedhin lirshëm furnizuesin e energjisë elektrike, duke rritur konkurrencën dhe cilësinë e shërbimit në treg.

Projektligji pritet të shërbejë si baza kryesore ligjore për reformimin e sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri në vitet e ardhshme.Versus.al

Poll